Telekomi i Kosovës për detyrimin ndaj Z Mobile: Po rrezikon shpërthimi i aferës korruptive më të madhe në Kosovë

Përmes një komunikate për media ka reaguar Telekomi i Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për urdhërin përmbarimor prej 24.6 milionë euro ndaj kompanisë Dardafon.net, të njohur si ‘Z Mobile’.

Në këtë komunikatë thuhet se Telekomin e Kosovës mund ta shpëtojë vetëm Prokuroria e Shtetit dhe Qeveria e Kosovës, nga falimentimi.

“Me këtë vendim të procedurës së përshpejtuar përmbarimore, të pa peshuar dhe vlerësuar sa duhet, Telekomi i Kosovës po kërcënohet me falimentim. Edhe pse ekzistojnë mundësi ankimimi në Gjykatën e Apelit, e njëjta nuk e prolongon medoemos ekzekutimin e urdhrit përmbarimor”, thuhet në këtë reagim.

Sipas Telekomit, kompania Dardafon.net vetëm dy muaj pasi u themelua, kishte nënshkruar një kontratë me Telekomin me 16 janar 2009, për mbështetje të operatorit të rrjetit mobil virtual.

Z-Mobile, sipas Telekomit, ka shfrytëzyar ndër vite rrjetin e PTK-së, duke marrë favore në ndarjen e të hyrave në raport 73% – 27% dhe duke shitur produktet e Telekomit nën çmim.

“Telekomi i Kosovës u soll në një situatë kur një kompani virtuale e cila operoi me paratë e Telekomit të Kosovës tani po pretendon ta falimentojë atë. Nga raportet e hartuara të ekspertëve të brendshëm të kompanisë si dhe të atyre të jashtëm është bërë vlerësimi që humbjet reale të Telekomit të Kosovës, nga kjo kontratë dalin të jenë qindra milionëshe”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Tutje, Telekomi ka thënë se pasojat e këtij përmbarimi të përshpejtuar, përveç karakterit social e ekonomik, do të jenë edhe të karakterit politik dhe rrezikon si të shpërthejë si afera më e madhe korruptive në historinë e Kosovës.

“Tashmë, pengimi i “gëlltitjes” së Telekomit të Kosovës, varet nga ndërhyrja e shtetit për të ndalur dhe anuluar përmbylljen e suksesshme të këtij procesi të dyshuar publikisht si korruptiv”.

Telekomi, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë hapat dhe veprimet emergjente për të ndaluar procesin e shkatërrimit të qëllimshëm të këtij aseti nacional, siç e kanë quajtur, që prek edhe themelet e sigurisë së vendit.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtare “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

 

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit