Telekomi i Kosovës në negociata me Digitalb për ofrimin e kanaleve televizive

Telekomi i Kosovës aktualisht është në negociata me kompaninë nga Shqipëria ‘Digitalb’, për ofrimin e kanaleve televizive të kësaj kompanie, për territorin e Kosovës përmes ‘TV Vala’.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja, i cili ka bërë të ditur se shumë shpejtë Telekomi do të dalë me njoftim përfundimtar.

“Mund t’ju themi se ende nuk kemi një kontratë të nënshkruar me Digitalb. Aktualisht jemi në proces të testimeve teknike, para nënshkrimit të kontratës. Ju sigurojmë se për gjithçka rreth kësaj teme do t’ju informojmë me kohë” – tha Lepaja për KALLXO.com.

Në fillim të janarit kanalet e Digitalb që transmetoheshin në Kosovë përmes operatorëve kabllorë, kishin ndaluar transmetimin, për shkak se siç u tha nga kompanitë, kishte përfunduar marrëveshja në mes palëve.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kishte reaguar, duke thënë se është duke i përcjellë me shqetësim ankesat e qytetarëve.

Në reagimin e tyre nga MINT patën thënë se do të merren veprime sipas ligjeve në fuqi për këtë çështje.

“MINT/Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë ditëve të fundit ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse. MINT siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi’’ – thuhej në reagimin e MINT.

Një numër ankesash për këtë çështje janë duke u trajtuar edhe nga Komisioni i Pavarur për Media.

“KPM nuk është njoftuar paraprakisht për ndërprerjen ose jo te marrëveshjes ndërmjet palëve, mirëpo kemi qenë të njoftuar përmes emailit rreth komunikimit në mes të Digitalb dhe Artmotion në lidhje me skadimin e kontratës në mes tyre” – thuhej në reagimin e këtij institucioni.

Ankesat e qytetarëve ndaj operatorëve kabllorë, reagon MINT