Shpejtësia e tejkaluar nga motoçiklistët në fshatin Bibaj, Ferizaj, Foto: Policia e Kosovës

Tejkaluan shpejtësinë gati sa trefishi i lejuar, gjobiten dy drejtues të motoçikletave në Ferizaj

Policia ka gjobitur për tejkalim të shpejtësisë dy drejtues të motiçikletave, pasi të njëjtit kanë tejkaluar shpejtësinë më gati sa trefishi i shpejtësisë së lejuar në atë zonë. Drejtuesit e motoçikletave në zonën e kufizimit të shpejtësisë 50 km/h kanë zhvilluar shpejtësi 148 km/h.

Njëri prej tyre është shtetas i Kosovës dhe tjetri shtetas i huaj.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën e fshatit Talinvoc i Muhaxherëve – fshati Bibaj të Ferizajt, më 25.05.2024, rreth orës 12:55.

“Ndaj tyre policia u shqiptoi nga një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim, për shtetasin e huaj 600 euro, ndërsa për shtetasin kosovar 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentë shoferit për 3 muaj” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 25.04.2024.

Me këtë rast Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar tek motoçiklistët që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit dhe të mos bëjnë tejkalime të shpejtësisë.

Sipas Policisë, veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, andaj fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë për raportimin e këtyre rasteve dhe të tjera kundërvajtje që ndodhin në komunikacion.