Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Teatri Kombëtar gjatë vitit shiti 5 mijë bileta

Gjatë vitit 2021, vit që shkoi pothuajse çdo ditë duke u përballë me COVID-19, Teatri Kombëtar i Kosovës ka arritur të shfaqë para publikut 102 shfaqje.

Ndërsa numri i biletave të shitura nga Teatri Kombëtar ka qenë 5 mijë e 9 të tilla gjatë gjithë vitit.

Nga shitja e biletave gjatë 2021, teatri ka inkasuar 9 mijë e 359 euro, prej tyre 4 mijë 968 janë të hyra të TKK-në, kurse 4 mijë e 391 euro kanë shkuar për shfaqjet mysafire që janë dhënë gjatë vitit.

Naser Shatrolli, zëvendësdrejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se gjatë 2021 ky teatër ka realizuar 7 premiera dhe 61 repriza të shfaqjeve.

“Gjatë 2021-tës TKK ka arritur të shes 5,702 bileta, ndërsa ka realizuar gjithsejtë 102 shfaqjet teatrore. Nga to, 7 premiera, 61 repriza dhe 34 shfaqje mysafire”, ka thënë Shatrolli.

Ndërkaq janë anuluar 46 shfaqje të planifikuara.

Buxheti i TKK-së për repertorin, sipas ligjit të buxheti për 2021, ishte 370 mijë euro.

Gjatë këtij viti në TKK  janë realizuar premierat e shfaqjeve: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me regji të Erson Zymberit, “Koleksionisti i syve” të Ben Apollonit, “La Rrem” me regji të Kushtrim Koliqit, “Pa mua” (diptih teatror) me regji të Shkurte Aliut dhe Alban Beqiraj, “Pamje revolucioni” nga Kaltrim Bala, “Lela & Co” nga Eki Rrahmani dhe “Aroma e Hënës” me regji të Rozi Kostanit.