‘PriFest’, publikohet lista e filmave garues në kategorinë e filmit të shkurtër

Festivali “Prishtina International Film Festival” (PriFest) ka bërë sot publike listën e filmave garues në kategorinë e filmit të shkurtër (Short Films), për edicionin e sivjetmë.

Përmes një njoftimi “PriFest” bën të ditur se 13 filma janë përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj gare.

“13 filma nga 10 shtete të ndryshme nga mbarë globi, me një diversitet të mrekullueshëm në stil. Disa nga këta filma kanë pasur shumë suksese në festivale të rëndësishme, disa nga këta filma nisën rrugëtimin e tyre në PriFest. Të gjithë këta filma janë përzgjedhur me shumë kujdes për këtë kategori si herë e parë në festival”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, nga 13 filmat, 2 nga ta janë premiera botërore, 1 është premierë evropiane, 1 premierë regjionale dhe filmat e tjerë janë premiera kosovare.

Edicioni i 13-të i “PriFest” do të mbahet nga 24 deri më 29 gusht 2021 në Prishtinë.