Të akuzuar për trafik narkotikësh, ekstradohen në Shqipëri dy persona nga Italia dhe Greqia

Dy persona që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, janë ekstraduar sot në Shqipëri nga Italia dhe Greqia.

Nga Italia është ekstraduar një 32 vjeçar i akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.

Sipas njoftimit, ai dyshohet se i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur lëndën narkotike, në Itali.

“Shtetasi Gj. L., në bashkëpunim me shtetasin A. L., dyshohet se ka transportuar dhe më pas i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, për 200 000 euro, shtetasve R. Z. dhe Gj. Z., të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur këtë sasi lënde narkotike, në zonën e Bergamos, Itali, në periudhën mars-nëntor të vitit 2016”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërsa i ekstraduari i dytë është një 48-vjeçar i akuzuar si organizator i trafikimit të një sasie lëndë narkotike kanabis, në Greqi.

Sipas njoftimit, ekstradimi është bërë si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën.

Policia e Shtetit ka njoftuar se i dyshuari ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

“Shtetasi A. C., në bashkëpunim me shtetasin V. H., dyshohet se ka organizuar trafikimin e një sasie lënde narkotike kanabis, në Greqi. Sasia e lëndës narkotike është transportuar në Greqi, kundrejt pagesës në euro nga 4 shtetas, të cilët janë arrestuar nga Policia”- thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se dy shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.