Tahiri: Shpërndarja e Kuvendit, vetëm atëherë kur arrijmë ta shkarkojmë ose të dorëhiqet Qeveria

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se AAK-ja është kundër shpëndarjes së Kuvendit të Kosovës në rrethanat e kërkuara.

Sipas tyre, në shpërndahet Kuvendi, kjo është një “marrje e fajit nga Kuvendi për dështimet e Qeverisë.”

“Shpëndarja duhet të vie vetëm atëherë kur arrijmë të shkarkojmë ose të dorëhiqet (Qeveria). Shpërbërja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje apo ‘exit’ për Qeverinë Kurti, një farë forme marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimet e Qeverisë. Kuvendi në asnjë situatë nuk duhet të marrë përgjegjësi që nuk i takon”- ka thënë Tahiri.

Tahiri ka paralajmëruar se të premten me datë 24.05.2024 do të jetë një përballj me kryeministrin Albin Kurti.

“Të premten në ora 13:00 do të jetë ballafaqimi i së vërtetës mes Aleancës dhe opozitës me kryeministrin Kurti. Është debat që e kemi thirr për tri vite dështim. Kemi propozuar mocion tetë-faqesh, ju tregojmë se kjo qeveri ka dështuar”- përfundoi ai.

Kryeministri Albin Kurti më 14.05.2024 ka zhvilluar një darkë pune me partnerët e koalicionit qeverisës, përkatësisht me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Pecin si dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Në takim thuhet se u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor. Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, sipas kumtesës, janë shprehur të gatshëm dhe tërësisht të bindur se “vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike”.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.

I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët. Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë  më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.

Këto deklarata ngjallën edhe reagime të bllokut opozitar, AAK dhe LDK, dy parti që refuzuan takimin me kryeministrin.Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.