Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla prezanton Projektligjin për Zyrtarët Publikë

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar sot në Kuvend Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Ai tha se ky projektligj është pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të kësaj shoqërie.

Problemet, ngecjet dhe mungesat në administratën publike sipas tij janë të njohura dhe të evidentuara në raportet vendore dhe ndërkombëtare.

“Administrata e mbyllur dhe pamundësi për gjithëpërfshirje, ndërhyrjet politike dhe nepotizëm në proceset e rekrutimit, mungesa e efikasitetit dhe kapaciteteve të limituara profesionale, mungesa e një sistemi efikas për matjen e performancës dhe llogaridhënies menaxheriale, mungesa e përfaqësimit të grave, komuniteteve dhe personave me aftësi të kufizuara, mungesa e normave gjithëpërfshirëse që rregullojnë marrëdhëniet e zyrtarëve të bazuar në parime” – sipas Sveçlës janë problemet kryesore që duhen zgjidhur përmes këtij projektligji.

Ministri tha se është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën dhe ky projektligj do ta mundësojë këtë përmes procedurave të rekrutimit të cilat do të bëhen përmes konkurseve të hapura.

“Me aprovimin e këtij ligji të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të jenë pjesë e administratës publike nëse i përmbushin kriteret përmes një procesi që garanton meritokraci. Kjo garancë bëhet e mundur për shkak se procesi më i ndjeshëm, ai i rekrutimit parashihet të bëhet përmes dixhitalizimit si metodë që siguron transparencë, meritokraci dhe efektivitet” – shtoi ai.