Screenshot: Novosti.rs

Sveçla: Familjarët kanë vizituar tre policët e kidnapuar, për njërin janë dërguar edhe barna

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se familjarët kanë vizituar tre policët që u kidnapuan brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.

Ai theksoi se kërkon lirimin e tyre sa më parë.

“Familjarët kanë vizituar tre policët e kidnapuar, ne jemi në përkrahje të çfarëdo nevoje që këta policë kanë dhe familjet të tyre. Barnat për njërin tashmë kanë shkuar dhe ne presim që të lirohen sa më parë”- ka thënë ministri.

Ai tutje theksoi se kidnapimi i policëve tregon se Serbia nuk ka ndryshuar nga politikat e viteve ’90-ta.

“Kidnapimi i tyre është dëshmi se Serbia nuk ka ndryshuar nga ajo e viteve 90-ta. Vuçiq ka qenë ministër i propagandës atë kohë dhe zyrtarët tjerë po shkojnë hapave të tij. Kosova është në të drejtën e saj dhe do mbrojë çdo cep të territorit si dhe kushtetutën e saj”- u shpreh tutje Sveçla.

Më 14 qershor 2023, tre policë të Kosovës u kidnapuan nga autoritetet serbe. Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kapur në afërsi të Leposaviqit.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Tre policët që po mbahen në paraburgim në Serbi, do të vizitohen sot nga familjarët e tyre