Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sveçla: Duke pasur një fqinj si Serbia është e pa shmangshme rritja e vigjilencës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa ka folur lidhur me situatën e sigurisë në vend ka thënë se lufta në Ukrainë e ka bërë Kosovën të kuptojë edhe më mirë se “kush është Serbia”.

Ai ka thënë se Serbia e ka konfirmuar se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e interesave të saj.

“Edhe ne tashmë si eksportues të sigurisë dhe stabilitetit jemi pjesë e angazhimit global qoftë duke vendosur sanksione ndaj provokimeve të Rusisë e Bjellorusisë. Përderisa të gjitha shtetet demorkatike janë rreshtuar në përkrahje të Ukrainës, Serbia akoma nuk e ka berë këtë. Serbia jo vetëm me sulme ndaj zyrtarëve të Kosovës por edhe verbalisht ka konfirmuar se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e interesave të saj. Kjo përbën kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por edhe më gjerë. Provokimet ruse vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë edhe sot”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se forcimi i institucioneve dhe rritja e vigjilencës karshi provokimeve nga Serbia është e pashmangshme.

“Ne nuk e parashikuam luftën por e njohëm edhe më shumë Serbinë, për ne ka qenë e qartë që duke e pasur një fqinj që mbështetët të politikat ruse, ka pretendime territorial, mbështet grupet kriminale dhe kriminel, andaj forcimi i institucioneve dhe rritja e vigjilencës karshi provokimeve është e pashmangshme”, ka thënë Sveçla.

Tutje ai ka thënë se kur po flitet për sigurinë në vend e gjithë bota po përballet me cenim të sigurisë duke u mobilizuar më shumë me politika të mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas tij, grupet e ndryshme kriminale që mbështetën drejtpërdrejt nga Serbia i shohin si pengesë veprimet e organeve të rendit.

“Përkundër që siguria jonë është sfiduar me metoda të ndryshme nga Serbia, situata në vendin tonë është stabile. Ne jemi siguruar që institucionet të jenë në nivel të lartë profesional. Ne jemi angazhuar që t’u krijojmë kushte pune policisë së Kosovës. Luftimi i çdo lloj krimi të organizuar mbetet synimi ndaj të cilit asnjëherë nuk do të bëjmë kompromis”, ka shtuar ai.