Amir Hoxha, Foto: Facebook

Suspendohet polici i cili kritikoi deputetët për shpenzime dhe kërkoi pagesën për shujta për policët

Është suspenduar përkohësisht zyrtari policor, Amir Hoxha, pasi, siç ka thënë ai, pas një postimi të bërë dje mbi mos pagesën e shujtave për policët.

Hoxha gjatë të premtes kishte postuar në Facebook një reagim mbi shpenzimet e deputetëve për karburante ndërsa kishte thënë se pjesëtaret e Policisë së Kosovës nuk po paguhen për punët jashtë orarit.

“Sapo mora njoftimin për suspendim të përkohshëm  timin në afat prej 3 ditësh lidhur me një postim që e kam bërë me datën 04.02.2022 në lidhje me pakënaqësinë time për mos pagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë”, ka thënë Hoxha përmes një njoftimi në rrjete sociale.

“Edhe njëherë e potencoj se qëndroj prapa fjalës sime me ndërgjegje  dhe me përgjegjësi  të plotë prapa postimit tim në lidhje me diskriminimin e kundërligjshëm  që po na behet në pagë, që për këtë edhe kam bërë padi në Gjykatën Themelore”, vijon reagimi i zyrtarit policor, Amir Hoxha.

Ai ka thënë se kërkesën për pagesën e shujtave për policët do ta adresojë edhe në institucione ndërsa ka thënë se fjala e lirë mbrohet me ligj.

“Deri sot të paktën kam besuar se jetoj në një vend demokratik, dhe se fjala e lirë  mbrohet  dhe ruhet si vlerë dhe se vetëm në regjimet autokratike totalitare sanksionohet me ligj, që shkel masovisht drejtat themelore të individit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Mirëpo në këtë pikë paskan gabuar sepse pushteti  atëherë kur po u lëkundkan   interesat e veta elektorale po i goditka edhe instrumentet e veta që vet i përdor për ruajtjen e qenësisë se po atij pushteti”, thuhet në reagimin e zyrtarit policor, Amir Hoxha.