Suspendohet polici, dyshohet se publikoi disa fotografi e poezi serbe në Facebook

Një zyrtar policor i nacionalitetit serb, J. T. është suspenduar përkohësisht nga puna.

Kjo pasi që ndaj të njëjtit është duke u trajtuar një rast i dyshuar i disa publikimeve e postimeve në rrjetin e tij social në Facebook.

Poezi, fotografi, e disa takime mes zyrtarëve serb në Manastirin e Deçanit, të publikuara shumë vite më parë, kanë qenë arsyet e suspendimit të policit, i cili ushtronte detyrën në stacionin policor në Fushë Kosovë, J. T.

Siç mëson KALLXO.com suspendimi është kryer nga ana e Policisë së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë një vendim i cili tregon qartë se zyrtarët policor nuk mund të bëjnë publike thirrje të ndryshme që lidhen me disa kategori.

Polici në rrjetin e tij social Facebook kishte publikuar një poezi e cila flet për Kosovën dhe Serbinë.

I njëjti këtë poezi e kishte shpërndarë në vitin 2012, ndërsa ka figuruar në rrjetin social deri para pak orësh.

Nëse zyrtari policor J. T. ka rënë ndesh me ligjin me publikimet e tij në rrjetin social Facebook, me rastin është marrë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“IPK ka pranuar informacion për këtë rast dhe pas një hetimi preliminar dhe konsultimeve me prokurorin kompetent, rasti është përcjellë për trajtim administrativ/disiplinor në Policinë e Kosovës. Ju njoftojmë se zyrtari policor është suspenduar përkohësisht nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Postimet e T., janë publikuar në vitet 2012-2014 dhe kanë figuruar në rrjetin social të tij deri para disa orësh.

Njëra nga thirrjet e postuara në Facebook nga T. thotë: “Kosova është nëna ime, prejardhja ime është në Kosovë. Paraardhësit e m`i janë nga Kosova, populli im serb është lindur në Kosovë, Serbia ime është krijuar në Kosovë. Pa Kosovë, nuk kam nënë, nuk kam prejardhje, paraardhës, histori. Pa Kosovë nuk ekziston populli im serb dhe nuk ekziston Serbia ime. Popull serb, vëllezër e motra, betohem para zotit, do të fitoj ose ndershëm do të vdes, për nderin tim, për prejardhjen time, për familjen time, për Serbinë time. Me besim në Zot për kryqin e ndershëm dhe nënën Serbi. Rroftë Serbia”.

 

 

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe në Policinë e Kosovës. Këta të fundit deri në publikim të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste kur zyrtarët policor për shkak të komenteve apo postimeve në rrjete sociale janë suspenduar nga puna.