
Sulmi ndaj policisë në veri, Ambasada e Italisë shtyn koncertin e planifikuar për sonte në Prishtinë
Ambasada e Italisë në Kosovë ka bërë të ditur se pas sulmit të tmerrshëm kundrejt Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe institucione tjera kanë vendosur të shtyjnë koncertin me këngëtarët e rinj të festivalit Sanremo Giovani.
Përmes një njoftimi ambasada ka theksuar se dhuna nuk mund të triumfojë.
Koncerti është shtyrë për datën 1 tetor.
“Pas sulmit të tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës mbrëmë, në koordinim me Komunën e Prishtines dhe Institucionet e Kosovës kemi vendosur ta shtyjmë për 1 tetor koncertin SanremoGiovani të planifikuar për sonte. Dhuna nuk mund të mbizotërojë”- thuhet në njoftim.
Following the horrific attack against @Kosovo_Police last night, in coordination with @KPrishtines and #Kosovo Institutions we have decided to postpone to October 1 the #SanremoGiovani concert scheduled for tonight. Violence cannot prevail.
— Italy in Kosovo (@ItalyinKosovo) September 24, 2023
Koncerti pritej të mbahej në sheshin ‘Xhoxh Bush’ nga ora 20:00, derisa hyrja ishte falas.
Shtyrjen e koncertit e ka konfirmuar edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama.
“Për shkak të sulmit terrorist i cili ndodhi sot në orët e para të mëngjesit, ku për pasojë u vra në krye të detyrës polici Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti, anulohet koncerti i organizuar nga Ambasada Italiane me këngëtarët e rinj të festivalit Sanremo, i cili parashihej të mbahej sonte në bulevardin “Xhorxh Bush”- ka shkruar Rama.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.