Endrit Shala në seancën lidhur me sulmin ndaj gazetarit FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Sulmi i Endrit Shalës ndaj gazetarit, çështja shkon në ndërmjetësim

Deputeti i Nismas Socialdemokrate, Endrit Shala nuk do të paraqitet më para Gjykatës si i akuzuar për sulm ndaj gazetarit Ensar Ramadani sa kishte qenë Ministër i Tregtisë.

Kjo pasi të dy palët u pajtuan që çështja të shkojë në ndërmjetësim, procedurë kjo jashtë gjykatës.

“Pala e dëmtuar është e gatshme, me dërgu çështjen në procedurë ndërmjetësimi”, tha avokati Syla.

I akuzuari Shala, po ashtu u dakordua që të shkohet me procedurë ndërmjetësimi.

“I kam kërku falje gazetarit të dëmtuar, do vazhdoj me procedurë ndërmjetësimi siç e parasheh ligji”, tha i akuzuari Shala.

Gjyqtarja Lumnije Krasniqi i njoftoi palët se kjo çështje penale mund të zgjidhet dhe me procedurë të ndërmjetësimit.Me këtë u pajtua edhe Prokurorja Ferdane Sylejmani.

Endrit Shala akuzohej për sulm ndaj gazetarit të portalit “Indeksonline”, Ensar Ramadani.

Në aktakuzë thuhet se Ramadani ishte duke e përcjellë një ngjarje tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës,kur kishte ardhur vetë atëherë ministri në detyrë Endrit Shala.

Deri sa i pandehuri Shala po zbriste nga vetura, i dëmtuari  Ramadani kishte drejtuar telefonin për ta fotografuar, por i pandehuri kishte reaguar dhe duke përdorur forcën e kishte shtyrë atë.

“Më pas, në një moment edhe e kishte goditur me shuplakën e dorës së djathtë në faqen e majtë“ , thuhet në aktakuzë.

Sulmin e Endrit Shalës ndaj gazetarit gjykata nuk e sheh si lëndë me prioritet