Endrit Shala

Sulmin e Endrit Shalës ndaj gazetarit gjykata nuk e sheh si lëndë me prioritet

Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, po akuzohet nga Prokuroria për sulmin ndaj gazetarit të Indeks Online, Ensar Ramadani në dhjetor të 2019.

Prokuroria e Prishtinës më 10 shkurt 2020, ndaj të njëjtit ka ngritur aktakuzë për veprën penale sulm.

KALLXO.com ka pyetur Gjykatën e Prishtinës, se ndaj ish ministrit Shala a është caktuar seanca gjyqësore dhe si ishte deklaruar lidhur me fajësinë.

Por nga zyrtarja për informim Mirlinda Gashi, na është thënë se lënda për gjykim i është ndarë gjyqtares Lumnie Krasniqi, e cila për Kallxo.com ka thënë se kjo lëndë nuk është më prioritet pasi është e vitit 2020 dhe do të caktohet kur t’i vije radha.

Mirëpo Kodi i Procedurës Penale ka paraparë që pasi të ngritet aktakuza, gjykata seancën gjyqësore ku i akuzuari duhet të deklarohet rreth fajësisë duhet ta caktojë brenda 30 ditëve, e në rastet kur i akuzuari gjendet në paraburgim seanca duhet të mbahet brenda 15 dite.

Kodi penal ka paraparë dënim alternativ për veprën penale të sulmit, dënim me gjobë ose dënim burgim deri në 1 vit.

Rrëfimin e Ensar Ramadanit lidhur me këtë rast mund ta gjeni në këtë LINK.