Pas publikimit të pamjeve në KALLXO.com, AGK kërkon shkarkimin e Endrit Shalës

Të martën mbrëma gazetari i portalit “IndeksOnline”, Ensar Ramadani raportoi në polici se ishte sulmuar nga Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka publikuar sot pamjet e kamerave të sigurisë ku shihet Shala duke goditur gzzetarin.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Asociacioni i Gazetrëve të Kosovës, duke kërkuar shkarkimin e Shalës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj që ta shkarkoj ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalën, pas publikimit të pamjeve ku shihet se si ai godet gazetarin e IndeksOnline, Ensar Ramadani. Këto pamje dëshmojnë se si një person që përfaqëson institucionet e shtetit, pa frikë godet gazetarin. Një person i tillë nuk meriton të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës, eaq më pak përfaqësues i popullit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje në reagim thuhet se AGK kërkon nga kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që të distancohet nga ky veprim i Shalës.
“AGK vlerëson se pas publikimit të kësaj videoje , çdo gjë është e qartë dhe se drejtësia duhet të veprojë sa më parë. Sjellja e ministrit karshi gazetarit i cili po kryente detyrën e tij, për AGK është e papranueshme dhe e patolerueshme. Situata bëhet edhe më e rëndë kur Shala, një ditë para se të publikoheshin këto pamje, kishte deklaruar se nuk e ka goditur gazetarin Ramadani”, thuhet në reafim.

Poashtu, AGK ka kërkuar nga ministri Shala që të kërkoj falje publike, të pranojë fajësinë dhe në të njëjtën kohë nuk mjaftohet vetëm me një intervistim të tij nga ana e prokurorisë.

Në të kundërtën AGK ka kërkuar nga të gjithë kolegët gazetarë që të bojkotojnë punën e tij derisa ndaj këtij akti të merren masa konkrete nga autoritet përkatëse.

Gazetari i portalit “IndeksOnline”, Ensar Ramadani për KALLXO.com kishte rrëfyer se deri sa ishte duke përcjellë një rast të plagosjes në QKUK, ishte sulmuar fizikisht nga ana e ministrit në detyrë, Shala pasi që gazetari e kishte fotografuar.

Dje KALLXO.com, ekskluzivisht solli edhe sqarimin e ministrit Shala për gjithë ngjarjen. Ai vazhdimisht kishte mohuar se kishte sulmuar gazetarin.

“Po të betohem, që nuk e kam sulmuar ka qenë konflikt verbal, më shumë ka qenë keqkuptim që ka ndodh mes meje dhe tij sepse nuk e kam ditë që është gazetar”, ishte njëra nga përgjigjet e Shalës për KALLXO.com kur u pyet për rastin.

Por pamjet e siguruara nga KALLXO.com, tregojnë qartë për sulmin fizik të Endrit Shalës ndaj gazetarit Ramadani.

Në pamjet ekskluzive mund të shihni se si rrjedh ngjarja. Ensar Ramadani deri sa priste para Emergjencës në QKUK, sheh ministrin Endrit Shala deri sa vjen në po të njëjtin vend për shkak se i plagosuri ishte i afërm i tij.

Pasi e kishte parë se ishte fotografuar, Shala i ishte drejtuar menjëherë gazetarit duke i rënë shuplakë fytyrës.

Gjithashtu në pamje mund të shihni se janë dy zyrtarë policor, njëri nga i cili nuk ndërmerr asnjë veprim e tjetri që mundohet të qetësoj ministrin duke e larguar nga aty.

KALLXO.com që nga dita e martë ka raportuar në lidhje me rastin e sulmit fizik të ministrit Shala ndaj gazetarit Ensar Ramadani.

Në lidhje me këtë rast, Prokurori Besim Kelmendi i cili është Koordinator në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për çështjet e sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve.

Ai kishte thënë për KALLXO.com se kishte nisur hetimet ndërsa vetëm që nga dita e martë, Endrit Shala dje është intervistuar nga policia.

AGK dënon sulmin ndaj gazetarit Ensar Ramadani

Rrëfimi i gazetarit që thotë se u sulmua nga ministri Endrit Shala