Ilustrim

Studimi: Rritje e numrit të fëmijëve të prekur me diabet të tipit 1 që nga COVID-19

Është shënuar rritje e pazakontë e numrit të fëmijëve dhe adoleshentëve në mbarë botën të diagnostikuar me diabet të tipit 1 që nga Covid-19, thonë studiuesit, raporton BBC

Një studim i ri në revistën JAMA Network Open ka mbledhur të dhëna nga vende të ndryshme, përfshirë Britaninë e Madhe, për më shumë se 38,000 të rinj të diagnostikuar gjatë pandemisë.

Autorët e cilësojnë rritjen e rasteve të diabetit si “të konsiderueshme”.

Një pjesë e rritjes mund të jetë si shkak i ngarkesave dhe vonesave kur shërbimet shëndetësore u mbyllën – por nuk shpjegon të gjitha rastet e reja të diagnostikuara, thonë shkencëtarët.

Para pandemisë, shkalla e incidencës së diabetit të tipit 1 në fëmijëri ishte tashmë në rritje – me rreth 3% në vit.

Studimi i fundit gjeti se pati rritje prej 14% të normës gjatë vitit të parë të pandemisë, krahasuar me atë para Covid-19.

Në vitin e dytë të Covid-it, shkalla u rrit me rreth 27% në nivelet para pandemisë.

Studiuesit nga Universiteti i Torontos thonë se, pavarësisht nga shkaku, mund të nevojiten më shumë burime për numrin në rritje të fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga diabeti i tipit 1

Çfarë është diabeti i tipit 1?

Njerëzit me këtë gjendje duhet të monitorojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin insulinë për ta kontrolluar atë, sepse trupi i tyre nuk mund ta bëjë këtë automatikisht.

Kjo është për shkak se qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas shkatërrohen gabimisht nga sistemi imunitar i trupit.

Ndodh tek fëmijët dhe të rriturit, por shkaqet nuk dihen plotësisht dhe aktualisht nuk ka kurë

Çfarë fshihet pas kësaj rritje?

Ekspertët thonë se është e paqartë se çfarë ka shkaktuar rritjen e rasteve, por ka disa teori.

Një teori e tillë, është se Covid mund të shkaktojë reagim tek disa fëmijë, i cili rrit rrezikun e diabetit. Por midis studimeve që sugjerojnë këtë lloj reaksioni autoimun – ku trupi fillon të sulmojë disa nga qelizat e tij të shëndetshme – jo të gjithë kanë gjetur prova për të mbështetur këtë teori.

Një hipotezë tjetër është se ekspozimi ndaj disa mikrobeve në fëmijëri mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër disa sëmundjeve, përfshirë diabetin.

Disa shkencëtarë besojnë se është e mundur që bllokimet dhe distancimi fizik gjatë Covid-it nënkuptonin që shumë fëmijë nuk u ekspozuan mjaftueshëm ndaj mikrobeve dhe humbën këtë mbrojtje shtesë.