Studentja Majlinda Ibishi dha sot përmes Facebook-ut një shfaqje me kukulla 

Studentja e Fakultetit të Edukimit, Majlinda Ibishi ka shafqur sot live në faqen e saj Facebook shfaqjen me kukulla “Bisedë me kukullën”. 

Shfaqja u transmetua edhe në faqen e Facebookut të  ‘Art Critic”. 

Për më se 20 minuta, shfaqja u tregoi fëmijëve se si të mbrohen nga coronavirusi, si t’i pastrojnë duart e si të mbajnë higjienën në përgjithësi, sa reziston virusi në diell e në hapësira të tjera, etj. 

Ilir Muharremi, kritik arti, profesor në Fakultetin e Edukimit, ka thënë për KALLXO.com se koncepti regjisorial në këtë shfaqje është që fëmijët të kenë mundësi të shohin jo vetëm lojë teatrale, por edhe shumëçka tjetër përtej saj për t’i përmbushur shijet dhe kërkesat e fëmijëve dhe për t’i argëtuar sa më shumë ata, por edhe për t’u edukuar.  

“Shfaqja ka karakter argëtues dhe edukativ. Loja e studentes së Fakultetit të Edukimit, Majlinda Ibishi, është magjike ashtu si bota e fëmijëve dhe me siguri do t’i bëjë për vete ata.  Loja spontane, diksioni, fjala dhe fraza e saj që spikat për theksat logjikë dhe rrëfimi origjinal i japin natyrshmëri shfaqjes, duke bërë të duket se gjithçka po ndodh aty për aty përtej çdo planifikimi e konceptimi regjisorial”, ka thënë ai.