Stano: Masat ndaj Qeverisë së Kosovës erdhën pas paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një konferencë për media të enjten është pyetur edhe për situatën e krijuar kohëve të fundit në mes shtetit të Kosovës e vendit të saj fqinj, Serbisë.

Stano gjatë përgjigjes së tij, ka thënë se masat ndaj Qeverisë së Kosovës janë marr për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane.

“Ajo që kemi bërë së fundi, pas përshkallëzimit të fundit, kemi ndërmarrë masa ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane, e ta shtensionojë situatën e të marrë masat e nevojshme për shtensionim” – u shpreh Stano.

Zëdhënësi tregoi se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka pranuar letrën e 56 diplomatëve ndërkombëtar, në të cilën këta të fundit i kanë dhënë mbështetjen për Kosovën dhe i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

“Mund të konfirmojë se jo shumë kohë më parë, Përfaqësuesi i Lartë, ka marrë këtë letër të përbashkët dhe si gjithmonë kur ai merr letër nga çdokush, reagon nëpërmjet kanaleve të përshtatshme, e jo publikisht nëpërmjet mediave. Kur bëhet fjalë për temën e ngritur nga 56 nënshkruesit e parlamentarët e disa shteteve të BE-së, e të disa shteteve të treta, mund të them se politika e BE-së formohet me unanimitet të 27 shteteve anëtare, siç thuhet e vendoset nga qeveritë e këtyre shteteve” – tha Stano.

“Kemi me mijëra parlamentarë në BE. Pozita e veprimet e BE-së vendosen nga vendimet e qeverive të 27 shteteve anëtare, sa i përket politikës së jashtme vendoset me unanimitet” – shtoi tutje ai.

Tutje ai tha se sa i përket dialogut dhe çështjeve të lidhura me Kosovën dhe Serbinë, BE-ja është lehtësuese e paanshme, ndihmon dyja palët të arrijnë kompromiset e nevojshme për t’i normalizuar marrëdhëniet, e më pas tregoi edhe arsyen se pse u morën masa ndaj Qeverisë së Kosovës.

Stano foli edhe nëse do të merren masa edhe ndaj Serbisë, duke thënë se diçka e tillë mund të ndodhë nëse kjo vendoset nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga partnerët ndërkombëtar.

“E në frymën e njëjtë BE-ja dhe shtetet anëtare – pasi çdo gjë që bëjmë bëhet në sinkrion e konsultim me shtetet anëtare dhe me partnerët ndërkombëtarë, në këtë kontekst kryesisht me SHBA-në, nëse vendosin atëherë do të marrim masa të nevojshme ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare shohin se në atmosferën aktuale, në kontekstin aktual të krizës, Serbia s’po bën gjë për shtensionim. Qasja jonë është e balancuar. Sigurisht të gjitha masat janë të kthyeshme, e varet në mënyrën se si silllen partnerët sa i përket çështjes së deeskalimit dhe ecjes para për t’u kthyer në proces normal të dialogut” – tha Stano.

Tutje ai shtoi se ajo çfarë BE-ja pret nga Kosova e Serbia është sjellje evropiane, që të gjendet zgjidhje evropiane.

“Në fund të fundit të dyja shtetet duan të hyjnë në BE, kanë deklaruar se integrimi evropian është prioritet strategjik i tyre. Duhet atëherë të veprojnë sipas deklaratës, e të sillen në mënyrë evropiane. I bie të sillen në mënyrë konstruktive sa i përket shtensionimit, e të qenit në gjendje të gjetjes së një kompromisi të duhur, një konsensusi evropian” – tha Stano.

Zëdhënësi shtoi se këto janë mesazhe që i japim çdo ditë, javë për javë, muaj për muaj dhe se kriza nuk shkaktohet nga BE-ja, por shkaktohet nga mënyra se si partnerët zgjedhin për të arritur çfarëdo synimi që kanë, por që sipas tij kjo s’po u ndihmon në rrugën evropiane.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.