Stalla e lopëve nis sherr mes kushërinjve në Pejë

Biznesi i Bashkim Atashit nga Peja ka shkaktuar telashe me familjarët e tij që po ankohen për kundërmimin e stallës së lopëve që është ndërtuar tash e dy vjet.

 

 

Kushëriri i Bashkimit, Hazir Atashi thotë se kushëriri e ka ndërtuar sallën shumë afër shtëpisë së tij dhe po i shkakton jo rehati.

Atashi, i cili së bashku me vëllezërit jeton në Zvicër , thotë se për ta është e pamundur t’i kalojnë pushimet në vendlindje për shkak të erës së rëndë nga stalla.

Familja Atashi pretendon se kushëriri i tyre, i cili ka ndërtuar stallën nuk ka asnjë leje për ndërtimin e saj në lokacionin momental. Ndërkaq, pronari i stallës nuk ka pranuar të komentojë fare lidhur me këtë çështje.

“Jeta e tij ka ndryshuar 100% prej që kushërinjtë tanë, vëllezërit tanë ia kanë ndërtuar një fermë të lopëve pa asnjë posedim leje, d.m.th skicat të cilat e ka ndërtuar është krejt diku tjetër në bazë të informacioneve që i kemi. Vëllai nuk ka jetë këtu për shkak të erës që kundërmon, aq është zhurmë e madhe prej lopëve”, thotë Atashi.

Për Atashin ndërtimi i stallës së punës është absurde të ndërtohet në afërsi të shtëpive të banimit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Pejës dhe Ministrinë e Bujqësisë në lidhje me pretendimet e Atashit për lejet për ndërtimin e stallës.

Komuna e Pejës ka thënë se kjo stallë ka leje ndërtimore dhe është e ndërtuar në tokë bujqësore.

Kjo stallë, po ashtu ka leje mjedisore, e cila i është lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje Mjedisi në bazë të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Edhe Ministria e Bujqësisë në bazë të inspektimeve në terren ka thënë për KALLXO.com se stalla është ndërtuar në vendin e paraparë dhe në bazë të lejeve të marra te organet përkatëse.

Në raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Bujqësisë thuhet që stalla dhe objektet përcjellëse i plotësojnë kushtet-standardet minimale nacionale dhe se inspektorët nuk kanë gjetur asnjë vërejtje.

KALLXO.com ka kërkuar informacione Ministria e Bujqësisë në lidhje me distancën e stallave të lopëve nga zonat e banueshme.

Të njëjtit kanë thënë se nuk e kanë të përcaktuar largësinë nga objektet e banimit.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk e ka përcaktuar largësinë nga objektet e banimit për ndërtimin e stallave për lopë qumështore. Me rastin e aplikimit për leje, e cila bëhet në komunë, kërkohet edhe vlerësimi i ndikimit në mjedis, i cili parasheh të mos bëhet dëm në mjedis”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.