SPRTK kërkon shkarkimin e drejtorit të Radio Kosovës

Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Radios, Arsim Halili.

Siç thuhet në komunikatën e SPRTK, shkarkimi i Halilit po kërkohet ‘pas një valë denoncimesh të bëra nga punonjëset e RTK-së’ ndaj tij.

“Pas një vale denoncimesh të bëra nga punonjëset e RTK-së ndaj drejtorit te Radios, Arsim Halili, Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkon nga Bordi i RTK-së shkarkimin e menjëhershëm të tij” – thuhet në komunikatë.

Shkarkimi sipas kësaj sindikate do t’i hapte rrugë një hetimi të detajuar nga një komision i pavarur dhe profesional.

“Është më se e nevojshme të veprohet urgjentisht, në të kundërtën, dhuna verbale ndaj grave si dhe ndërhyrjet në organet të cilat do të duhej të jenë të pavarura në punën e tyre siç është rasti i ndërhyrjes brutale në komisionin disiplinor, do të bëhen normë”- vazhdon komunikata.

KALLXO.com ka raportuar për mbledhjet e bordit të RTK-së të mbajtur më 08.05.2024 e cila u përcoll me tone të larta pasi anëtarja e bordit, Arta Berisha tha se kanë pranuar një letër shqetësuese nga udhëheqësja e Zyrës Ligjore, Zana Spahiu.

Në këtë letër sipas anëtares Berisha, Spahiu thotë se ka pasur presion dhe sjellje të patolerueshme nga drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili.

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ishte përfshirë edhe në një debat me gazetaren Behare Bajraktari.

Gazetarja Behare Bajraktari përmes një postimi në “Facebook” kishte pretenduar se drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka dhënë urdhër që t’i merren asaj nga zyra kompjuteri i punës dhe gjësendet e tjera personale e profesionale.

Gazetarja pretendoi se Halili edhe gjatë muajit gusht e ka kërcënuar atë.

Në anën tjetër, Arsim Halili përmes një postimi në Facebook kishte mohuar se ka kërcënuar gazetaren Bajraktari.

KALLXO.com më 14.05.2024 ka dërguar pyetje tek drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili dhe drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe është në pritje të përgjigjes.

Radio Televizioni i Burrave