Spitali i Prizrenit jep detaje për Hajrush Behlulin, i cili sot është lënduar në aksident trafiku

Një këmbësor është goditur nga një veturë në Prizren.

KALLXO.com mëson se personi që është aksidentuar është bashkëshorti i këngëtares Shkurte Fejza, Hajrush Behluli.

Rasti ka ndodhur sot, më 23.02.2024, në Prizren.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar shefin e Emergjencës të Spitalit Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti.

Ai ka thënë se pacienti kishte lëndime në kokë dhe ekstremitete.

Sipas Veçgishtit, pacienti tashmë është duke u trajtuar në Repartin e ORL-së.

“E kanë pru në Emergjencën e Spitalit tonë në ora 11:15 pacientin që kishte pasë lëndime në aksident trafiku. Janë kry ekzaminimet që janë dashtë, është dhënë terapi dhe pas konsultave pacienti është pranu në Repartin e ORL-së për trajtim të mëtutjeshëm. Ka pasë lëndime në kokë, në ekstremitete, këto kanë qenë lëndimet”- ka njoftuar Veçgishti.

Sipas tij, pacienti i ka dhënë deklaratë Policisë, pasi këta të fundit e kanë vizituar në spital.

”Po, po, ka mujtë (me dhanë deklaratë), ka qenë me vetëdije” – ka thënë ai.

Sipas njoftimit të zëdhënësit të Policisë në Prizren, Shaqir Byqtyqi, aksidenti ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari”, rreth orës 10:50.

Bytyqi ka theksuar se organet e rendit kanë intervistuar palët e përfshira dhe me urdhër të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë në Prizren në lidhje me trajtimin e këtij rasti, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.