Sot pasdite pritet të arrijnë 4,680 doza të vaksinave "Pfizer" në Kosovë

Në Kosovë sot pasdite pritet të arrijnë 4,680 dozat të vaksinës anti-Covid “Pfizer”.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë.

Sipas MSh-së, këto vaksina janë pjesë e asistencës prej 95,000 dozave që BE i ka ndarë për Kosovën.

“Ministria e Shëndetësisë pret që gjatë ditës së sotme të arrijnë 4,680 doza të Pfizer në Kosovë. Këto janë pjesë e asistencës prej 95,000 dozave që BE i ka ndarë për Kosovën. Dozat pritet të arrijnë pasdite”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kosova në fund të marsit kishte pranuar  24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit të COVAX-it.