Mbledhja e kabinetit qeveritar. FOTO: Zyra e Kryeministrit.

Situata në veri, Kurti mbledh kabinetin qeveritar

Me ftesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kabineti qeveritar sot ka mbajtur një takim që në rend të ditës kishte diskutimin për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë këtij diskutimi u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë.

“Duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, gjatë diskutimit u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë” – thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se kryeministri Kurti u shpreh se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, dhe se dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë.

Kurti, gjatë ditës sot tha se përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës do të jetë e pasuksesshme.

“Nuk e dimë ne tash se çfarë ndikimesh mund të ketë përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, mirëpo unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme sepse shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik dhe duke qenë i rreshtuar drejtë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në dhe NATO-n” – ka thënë Kurti para mediave.

Tutje, shefi i qeverisë ka thënë se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga “individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara”.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veriore.

Qytetarët serb sot u mblodhën në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Krejt çka u tha sot në protestën e organizuar në Mitrovicën e Veriut