Sindikata e Punëtorëve të Aviacionit Civil reagon ndaj largimit "tendencioz" nga puna të një drejtoreshe departamenti

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil ka reaguar pas largimeve nga puna dhe procedurave disiplinore ndaj disa punëtorëve nga ana e menaxhmentit.

Ata kanë cekur se drejtoresha e një departamenti në Autoritetin e Aviacionit Civil është larguar nga puna pa ndonjë bazë dhe sipas tyre është tendencioz.

“Së fundi, Komisioni Disiplinor i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) ka marrë vendim për largim nga puna të koleges sonë, drejtoreshë departamenti e cila ka 17 vjet përvojë pune në aviacion dhe ishte pjesë e ekipit themelues të AAC-së në vitin 2008. Largimin e saj, përmes një vendimi me arsyetim të pabazuar dhe tendencioz, përveç që dëmton atë personalisht, Sindikata e sheh si sulm ndaj profesionalizmit të stafit të AAC-së dhe vet institucionit”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre, në këtë instuticionet brenda 4 muajsh, 6 procedura disiplinore (5 për shkelje të rënda) janë inicuar nga menaxhmenti i lartë i AAC ndaj punëtorëve me kontribut të theksuar në këtë institucion, nga të cilat 4 kanë përfunduar me masa displinore, duke filluar nga vëretjet me shkrim, ndalje të pjesshme të pagës e deri te largimi nga shërbimi civil.

“Potencojmë se këta numra janë alarmantë kur merret parasysh se stafi i AAC-së përbëhet nga vetëm 28 profesionistë, shumica e gjerë me kualifikime postdiplomike dhe përvojë të gjatë në shërbimin civil dhe aviacion në përgjithësi. Stafi profesional i AAC-së, i ndërtuar me mund për shumë vite dhe me shumë investim, është veçanërisht nën presion të theksuar, gjë që mund të ketë pasoja serioze edhe në mbikëqyrjen e industrisë së aviacionit civil në Kosovë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Ata theksojnë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me kulturën e drejtë që promovohet në aviacionin civil, dhe të cilën AAC-ja, sipas tyre, është e obliguar ta respektojë si kërkesë që buron nga standardet ndërkombëtare, të cilat vet AAC-ja është e zotuar t’i zbatojë dhe mbikëqyrë te operatorët që i rregullon.

Sindikata i ka bërë thirrje Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil dhe institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë me përpikëri ankesat që po iu drejtohen për të ndërprerë shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

“Ndërsa nga institucionet mbikëqyrëse – Ministri i Infrastrukturës, Kuvendi i Kosovës, dhe Bordi i AAC-së – që të monitorojnë me vëmendje situatën e krijuar, dhe vendimet jo të drejta e të dëmshme ndaj personelit të AAC-së dhe punës profesionale që bëhet në këtë institucion”, thuhet në fund.

Aeroporti i Prishtinës largon nga puna pa paralajmërim mbi 20 punëtorë

.