Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti

Aeroporti i Prishtinës largon nga puna pa paralajmërim mbi 20 punëtorë

Që nga vera e 2019-tës kur punëtorët e Aeroportit të Prishtinës hynë në grevë, 23 punëtorëve të mirëmbajtjes nuk iu është vazhduar kontrata e punës. Sindikata pretendon se kjo ka ardhur si hakmarrje pas grevave që kishin mbajtur këta punëtorë.

Të premten e 31 Janarit të vitit të kaluar Besa* ishte duke e pastruar sallën e pritjes së udhëtarëve të Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, kur një kolege e saj e njoftoi se po e priste në zyrë menaxherja e sektorit të mirëmbajtjes. 

Fillimisht kishte menduar se kjo thirrje kishte të bënte me ndonjë vërejtje siç zakonisht ndodhte nga menaxherja e mirëmbajtjes apo për njoftimin e vazhdimit të kontratës, meqenëse 31 Janar ishte dita kur kontrata e saj e punës do të skadonte. Por, doli se  ajo thirrje ishte për ta njoftuar Besën se ajo do të ishte dita e fundit në punë.

“Kur po më thotë që deri sot ke pasë me punu, në ora 16:00 dorëzoje ID kartelën”, rrëfen ajo.

Për nënën e gjashtë fëmijëve ai njoftim kishte qenë shokues, pasi paga prej 200 eurosh sa merrte nga kompania “LIMAK” që menaxhon aeroportin, kishin qenë të hyrat e vetme në familjen e 46 vjeçares. “Kam fillu me qajtë, krejt aeroporti më kanë pa, nuk disha ka me ia mbajtë”, kujton ajo me të kuptuar se më nuk po i vazhdohet kontrata. 

Mirëpo, fatin e saj e kishin edhe 22 punëtorë tjerë të cilët edhe pse kishin më shumë se një vit e gjysmë të punës pandërprerje, në kontratat e tyre llogariteshin si punëtorë sezonalë dhe këto kontrata ripërtriheshin çdo 2-3 muaj nga menaxhmenti i aeroportit.

Përveç dallimit në kontrata nga punëtorët disa prej të cilëve kishin më shumë se tre vjet në aeroport, punëtorët me kontrata sezonale thonë se janë diskriminuar edhe në paga, pavarësisht punës së njëjtë. 

Dallimi në paga, pagesa e përvojës së punës, pagesa e shujtave dhe orët shtesë të punës gjatë fundjavave kishin qenë disa prej kërkesave kryesore në protestën e gushtit të vitit 2019 të organizuar nga Sindikata e Pavarur e punëtorëve të aeroportit.

Sipas Bashkim Latifit, Kryetarit të Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, dallimi në paga është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. 

Sipas tij, edhe pse pas grevave kanë arritur ta zbusin sadopak këtë dallim të pagave, prapë ka punëtorë që dallohen, sidomos në sektorin e pastrimit.

 “Ka punëtorë që ka nën tre vjet punë e i merr 200 euro, kurse ata me mbi tre vjet pune paguhen nga 300 euro”, thotë Latifi.

Edhe Vlora* e cila nga qershori i vitit 2018 ishte duke punuar në mirëmbajtjen e objektit dhe në platformë (pastrim te aeroplaneve) thotë që punëtorët të cilat kanë qenë me kontratë sezonale kanë pasur nga 200 euro rrogë, kurse punëtorët me kontrata të rregullta fitojnë rreth 300 euro.

 “Madje që dy vjet gati punë veç pesë ditë pushim mi kanë jep”, thotë ajo,  e shqetësuar për të ardhmen e familjes së saj, meqenëse edhe burrin e ka të papunë dhe ka hallin se si të kujdesët për fëmijët e saj. “Prej 31 janarit burrë e gru jemi në shtëpi.”

Hakmarrje ndaj protestave?

*Vlora thotë se gjithë kjo po bëhet vetëm për faktin se këta punëtorë kanë qenë të zëshëm dhe të pranishëm përgjatë ditëve të protestave dhe grevave. 

“Skllavërim modern” e quan kreu i Sindikatës, Bashkim Latifi, trajtimin e punëtorëve që është duke bërë menaxhmenti i kësaj kompanie. 

Bashkim Latifi, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës.
FOTO- Halim Kafexholli

Sipas Latifit kjo që po ndodhë në aeroport është një hakmarrje për shkak të ngritjes së zërit të këtyre punëtorve, edhe pse kjo grevë ishte organizuar në përputhshmëri me Ligjin për Greva. 

Menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” i mohon këto akuza. Zyra për informim i tha BIRN-it se këto largime nuk kanë ndodhur si shenjë hakmarrjeje por në bazë dispozitave ligjore dhe konform Ligjit të Punës.

“Të gjitha masat e ndërmarrura për këtë rast janë bërë konform Ligjit të Punës dhe duke iu referuar të gjitha dispozitave ligjore. Poashtu, vlen të përmendet se nuk ka të bëjë fare me grevën e punëtorëve.”

Mirëpo, BIRN ka siguruar një video incizim ku dëgjohet dhe kërkohet nga punëtorët e aeroportit të largohen nga antarësia e Sindikatës së Punëtorëve. Në këtë bisedë, Zëvendësmenaxherja e shërbimit të udhëtarëve, dëgjohet duke i përcjellë urdhërat e zyrës së burimeve njerëzore duke kërkuar nga punëtorët shkëputjen nga sindikata, përndryshe siç thotë ajo do të ketë pasoja shumë negative. 

Sipas këtij inçizimi, arsyeja pse punëtorëve u kërkohet largimi nga sindikata ka të bëjë me gjoja përgjigjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale e cila sipas menaxhmentit të LIMAK-ut i ka konsideruar si të pa baza kërkesat e sindikatës gjatë protestave të gushtit të vitit të kaluar.

BIRN ka pyetur këtë ministri rreth kësaj çështje, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërsa Kryetari i Sindikatës thotë se nuk është e vërtetë që ministria ka konstatuar se kërkesat e sindikalistëve ishin të padrejta.
Në anën tjetër, sipas Valentina Garës nga Aeroporti i Prishtinës, LIMAK  ‘asnjëherë’ nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga punëtorët. “Mund të ketë qenë ndonjë keqinterpretim nga ana e udhëheqëses së ndërrimit,” thotë Gara për BIRN.

“Prandaj me përgjegjësi të plotë them se këtë keqintepretim do ta shqyrtojmë në nivelin menaxherial dhe do të merremi në bazë të procedurave të brendshme të kompanisë,” përfundoi Gara në përgjigjen e saj.

Kurse Shyhretja* thotë që janë përballur me largimin nga antarësia në Sindikatë dhe presione për t’u larguar nga Sindikata. “Zyra për burime njerëzore na kanë largu prej Sindikatës, na kanë mbushë formularët pa na informu dhe na kanë largu, na kanë thanë ju jeni sezonal s’keni drejtë, a na që dy vjet gati punë pa ndërpre”, tregon ajo për BIRN.

Sipas Shpëtim Sadikut, avokat i cili është duke e përfaqësuar rastin e këtyre punëtorëve e të larguarve në Gjykatë, është absurde që punëtorët e këtij sektori të cilët janë duke punuar rreth dy vite pa ndërprerje të cilësohen si punëtorë sezonal. “Në rregull, munesh me ia vazhdu kontratën çdo tre muaj apo çdo një vjet, por nuk mundesh me e quajt kontratë sezonale dikush që punon vazhdimisht”, thotë Sadiku. 

Kurse punëtorët, por edhe sindikata janë të bindur se e drejta është në anën e tyre dhe përmes rrugëve ligjore do të kthehen përsëri në vendin e punës. “Na kena me çu deri në fund”, thonë gati njëzëri ato.  

‘Prej nesër nuk je në punë’

E pa informuar se do të largohet nga puna thotë të ketë qenë edhe Shyhretja* e cila gjersa e kishte kryer ndërrimin e paradites ishte njoftuar për mos vazhdimin e kontratës. “Ma boni Zëvendësmenaxherja para orës 4 pasdite bjere ID kartelën se nuk ta qesim rrogën. Se ke i 31-ti, tani normal shkaku i rrogës duhet me dorëzu”, thotë ajo.

Kësaj punëtoreje, të ardhurat e vetme për familjen pesë anëtarëshe i ishin ndërprerë me datën 31 janar të këtij viti. Shyhretja duket shumë e brengosur se si do t’ia dalë për shkollimin e fëmijëve dhe përkujdesin për vjehrrën e saj, pasi që jeta pas vdekjes së burrit për të ishte shumë më e vështirë dhe puna në aeroport sipas saj kishte mbetur  burimi i vetëm i mbijetesës.

Shyhretja nuk është e vetmja që thotë se nuk u paralajmërua për largimin nga puna.

“Iu thash qysh mos me na kallxu më herët kisha kqyr me gjetë punë, tash ka me ia mbajtë”, kujton Besa* bisedën me menaxheren e sektorit të mirëmbajtjes. “Tha nuk kemi çka me bo, ata të naltit kanë vendosë”.

Sipas  nenit 71 të Ligjit të Punës thuhet që punëdhënësi duhet t’i njoftojë  paraprakisht me shkrim një muaj më parë të punësuarit dhe sindikatën e të punësuarve, nëse janë të anëtarësuar në sindikatë, lidhur me ndryshimet e planifikuara. Por një gjë e tillë sipas punëtorëve por edhe sipas sindikatës nuk ka ndodhur. 

Avokati Sadiku thotë që nuk ka asnjë provë që kompania i ka njoftuar paraprakisht këta punëtorë, duke mos e respektuar paragrafin 1 të nenit 71 të Ligjit të Punës. 

BIRN-i ka kontaktuar drejtorin e burimeve njerëzore në këtë kompani, Basri Zukën, mirëpo ky i fundit ka refuzuar të përgjigjet nën pretekstin që sipas rregullores së LIMAK-ut komunikimi me media duhet të bëhet vëtem përmes Zyrës për Informim. 

Zyra për Informim ndërkohë thotë se ndërprerja e kontratave të punës është bërë në përputhje me Ligjin e Punës. “Të gjitha masat e ndërmarrura për këtë rast janë bërë konform ligjit të punës dhe duke iu referuar te gjitha dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen e LIMAK-ut.  Përkundër kërkesës së BIRN, Limak nuk ka dërguar ndonjë dëshmi që ka lajmëruar 30 ditë më herët punëtorët për mosvazhdmimin e kontratave.

Edhe Valon Leci, ushtrues detyre i Kryeinspektorit të Punës e quan shkelje ligjore mos njoftimin dhe mos arsyetimin nga punëdhënësi për shkëputje të kontratës. “Mos njoftimi paraprak është shkelje dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës kur ka kontratë pune, dhe duhet me dhënë arsye pse po të ndërpritet”, thotë Leci. 

Menaxhmenti i aeroportit nuk i ka njoftuar punëtorët për arsyen e largimit, siç kërkohet në nenin 70 të ligjit të Punës. Në vendimet që ka siguruar BIRN-i nuk përmenden fare arsyet e mosvazhdimit të këtyre kontratave. 

Mospërfillje nga Inspektorati i Punës?

Kryesindikalisti i aeroportit është i indinjuar nga mungesa e përkrahjes nga Inspektorati i Punës. “Inspektorati i Punës nuk i ka përfillur kërkesat dhe ankesat e Sindikatës dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga muaji gusht i vitit të kaluar IP-ja nuk ka ardhur asnjëherë që ta inspektojë gjendjen në Aeroportin e Prishtinës,” thotë Latifi.

“Inspektorati i Punës është organi i vetëm që mund ta ndalë këtë të keqe, por kurrë s’ka qenë asnjë ditë, pavarësisht që jam duke i thirrur që gjashtë muaj, veç thojnë “vijmë sot, vijmë nesër”, por jo nuk kanë qenë asnjëherë”, thotë Latifi. 

Leci nga Inspektorati i Kosovës thotë të kundërtën. “Inspektorati është organ që nuk mund të mbajë anë” thotë Leci, teksa tutje shton që aeroporti është duke u inspektuar lidhur me këtë çështje. “Nuk e di saktë, por besoj që para dy ose tri jave ka fillu inspektimi. Por aeroporti është punëdhënës i madh dhe nuk mund të kryhet inspektimi shpejt”, thotë ai. 

BIRN ka pyetur edhe LIMAK-un nëse kjo kompani është duke u inspektuar, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur duke shtuar që kjo çështje i takon Inspektoratit të Punës. Ndërkohë, Inspektorati i Punës nuk i ka ofruar BIRN informacione shtesë rreth detajeve të inspektimit që pretendon se janë kryer në aeroportin e Prishtinës.

Kryesindikalisti Latifi thotë se ata ende po presin që Aeroporti i Prishtinës dhe Inspektorati i Punës të dëshmojnë se janë duke u marrur me shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

“Nuk është e vërtetë që është duke u inspektuar aeroporti, unë dhe punëtorët jemi duke i pritur si shiun në Saharë,” përfundon ai.

*Emrat Besa, Vlora dhe Shyhrete janë ndryshuar me kërkesën e punëtorëve.