Sindikata e Policisë voton shkarkimin e kryetarit Imer Zeqiri

Sindikata e Policisë sot më datë 19.05.2024 ka mbajtur mbledhjen me të vetmën pikë të rendit të ditës –  votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri.

Sipas njoftimit, në këtë kuvend të pranishëm ishin 60 delegatë nga gjithsej 73 delegatë dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri.

“Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës” – thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka provuar që të marrë edhe një prononcim nga Imer Zeqiri por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Të premten, më 10.05.2024, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Për rastin, ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës për mes një komunikate për media. SPK është distancuar nga veprimet e kryesindikalistit.

KALLXO.com mëson se Zeqiri dyshohet se në mënyrë të paautorizuar ka lënë telefonin e tij në zyrën e nënkryetarit të Sindikatës duke incizuar paligjshëm.

Telefoni i Zeqirit është gjetur nga pjesëtarë të Sindikatës e më pas është marrë vesh se i përket kryesindikalistit.

Kurse, në komunikatën e IPK-së nuk kanë dhënë informacion se është fjala për Zeqirin, porse i janë referuar me titullin “toger policor”.

Se si e kishte kuptuar IPK se Zeqiri ka kryer veprën penale, IPK thotë se Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar më 10.05.2024 një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të këtij informacioni, IPK ka dalë në vendin e ngjarjes, i cili konfirmohet se është në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës. Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës” – kanë njoftuar nga IPK.

Pasi hetuesit e IPK-së kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë konfiskuar një telefon mobil, kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.

“Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar” – njoftojnë nga IPK.

IPK rekomandon suspendimin e policit kryesindikalist, dyshohet se incizoi pa autorizim