Protesta e Policisë së Kosovës. Foto: Adelina Ahmeti/KALLO.com

Fillon protesta e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, hetuesit e departamenteve të ndryshme e njësi të tjera të PK-së janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”.

Ata po protestojnë në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë, e kësaj proteste i është bashkëngjitur edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryesia e kësaj sindikate u renditën në rendin e parë të protestës bashkë me pjesëtarët e njësive elitare policore.

Ekipi i KALLXO.com po përcjellë nga afër këtë protestë të lajmëruar nga njësitet policore speciale.

Protesta e sotme është e dyta me radhë që është organizuar për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kërkesave të rrezikshmërisë dhe shtesave të tjera.

Një nga protestat që ishte organizuar muajin e kaluar ishte anuluar për shkak se Kryeministri Albin Kurti kishte pranuar takim me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.

Më 15 nëntor u takuan Kryeministri Kurti, Ministri Xhelal Sveçla si dhe Ministri i Financave Hekuran Murati me disa pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese.

Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje në lidhje me kërkesat e pjesëtarëve të NJSI-së.

Në protestën e sotme përveç pjesëtarëve të NJSI dhe Njësisë për trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë parë edhe policë të njësive të tjera.