Sindikata e Policisë së Kosovës sërish paralajmëron protesta

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar sërish protesta para Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetari i kësaj sindikate, Shaban Tasholli tha se janë të detyruar që të bëjnë protesta, pasi sipas tij, nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesat e tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kërkesë e kësaj sindikatë është ndryshimi i Ligjit për pensionin e parakohshëm, pagesat e orëve shtesë, përfitimi nga pakoja e rimëkëmbjes dhe pagesat e shujtave. Por, sindikalistët thanë se dy kërkesat e fundit janë më primarë për ta.

“200 ditësh i punës po arrin dhe policia nuk ka shujtë, nuk paguhet mjaftueshëm, ndërrimi i natës dhe orët shtesë nuk paguhen, neve na ka atyre edhe pako për rimëkëmbje ekonomike. Deri në këtë moment nuk kemi asnjë përgjigje nga qeveria e Kosovës dhe e kemi afatin e fundit për kërkesat tona sepse po e them me përgjegjësi policia është pshtetur prej muri”, tha Tasholli.

Ai shtoi se në Qeverinë Kurti, janë paguar 200 euro për orët shtesë, por në këtë qeveri nuk kanë marrë as përgjigje.

“Po ju them juve si komision, protesta do të ndodhë dhe ne do ta kemi në kontroll 1 orë. Ne nuk e dëshirojmë protestën, në qeverinë Kurti me ministrin Xhelal Svecla kemi arritur që të marrim 200 euro në muaj por nuk ka ndodh shujta, por me këtë qeveri  tani ndalen të gjitha, nuk ka as përgjigje. Nuk është e lehtë të organizohet protestë, por ne do të veprojmë, nëse dikush e merr këtë jo serioze po gabon sepse policia do të mbajë protestë”, shtoi ai.

Ndërsa, Valbona Kamberi, kryetare e sindikatës tha se kanë dërguar tri kërkesa në drejtim të Qeverisë.

“Kemi dërguar te kërkesa që ja kemi dërguar ministrit, kryeministrit dhe asnjë përgjigje s’kemi marre. Ku është qellmi politik ndaj policisë që s’po merren parasysh. Kjo e fundit ka krijuar një pakënaqësi që nga pako emergjente, por edhe me ndërrimin e natës që nuk paguhet sipas ligjit të punës por me kosto 5 euro që është nënçmuese për policinë”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, nënkryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, tha se i kupton shqetësimet e sindikatës.

“I kuptoj shqetësimet tuaja dhe janë të vërteta këto që po i thuani për policinë dhe sidomos me këto kërkesat e fundit janë çështje që ndoshta është momenti i fundit që mi kry këto çështje elementare”, tha Berisha.

Kurse, anëtari i këtij komisoni nga LDK, Ilir Tasholli tha se protesta në kushte pandemie nuk është e duhur.

“Kërkesat e juaja me procedu me forma agresive dhe protesta nuk na bëjnë mirë në kohën kur Kosova dhe krejt bota po përballen me pandeminë por shpresoj në një zgjidhje sa më të shpejtë”, tha ai.

As deputeti nga PDK, Elmi Recica nuk u pajtua me protestat e paralajmëruar të Policisë.

Deputetët në fund u pajtuan që t’i shkruajnë një letër Qeverisë së Kosovës në mënyrë që të merren parasyshë kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.