Siguria në shkolla dhe rreziqet nga përdorimi i rrjeteve sociale, mblidhen struktura e sigurisë dhe të arsimit në Obiliq

Struktura e komanduese e Policisë dhe përfaqësues të arsimit të Komunës së Obiliqit kanë mbajtur një takim lidhur me sigurinë në shkolla dhe fenomenet shqetësuese që ndërlidhen nga përdorimi i rrjeteve sociale.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka bërë të ditur për KALLXO.com se ky takim është mbajtur në objektin e stacionit policor në Obiliq, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të arsimit dhe drejtorë shkollash nga kjo komunë.

“Më 30.05.2024 në ora 14:00 në objektin e stacionit të Policisë në Obiliq është organizuar takim mes të Strukturave Komanduese, U.D. të DKA – Obiliq dhe drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme të komunës së Obiliqit dhe Shkollës Amerikane (American School of Kosova- ASK)” – ka njoftuar ajo.

Sipas saj, tema të këtij takimi ishin siguria në shkolla, bashkërendimi i aktiviteteve të përbashkëta rreth planit të ligjëratave dhe fushata vetëdijesuese si dhe fenomenet shqetësuese të raportuara ditëve të fundit në rrjetet sociale “TikTok” dhe të tjera.

Në takim ka marrë pjesë edhe toger Zekrija Januzi, komandant i stacionit policor në Obiliq.

Çështja e sigurisë në shkolla është aktualizuar ditëve të fundit pas paraqitjes së disa rasteve në dy shkolla në Fushë-Kosovë, ku disa nxënëse kanë lënduar veten pasi u “frymëzuan” nga një lojë në “TikTok”.

Mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitura nga një “lojë” në “TikTok”

Po ashtu, vajza e gra të Kosovës janë bërë viktimë e ngacmimeve dhe shqetësimeve pasi numrat e tyre u shpërndanë në grupin “AlbKings” në rrjetin social “Telegram”.

7 anëtarë të dyshuar të këtij grupi janë arrestuar më 30.05.2024 nga Policia e Kosovës.

Këto tema janë trajtuar edhe në edicionin e sontëm të emisionit “Kallxo Përnime”.

www.kallxo.com

 

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.