Si u vranë tre pjesëtarët e grupit terrorist të sulmit në Banjskë?

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në KallxoPërnime ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së operacionit dhe sigurisë së personelit policor, nuk mund të tregojë se si janë vrarë tre pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulm ndaj Policisë në Banjskë më 24 shtator.

Mirëpo ai nuk përjashton mundësinë që të njëjtit të jenë qëlluar me snajper apo armë të shkurtra.

“Kjo është çështje sekrete për momentin, por mund të jenë vra prej armëve të shkurtra, snajperit, është ballafaqim me armë zjarri që për momentin duhet ta mbajmë sekret për shkak të ndjeshmërisë së operacionit dhe punës” – ka thënë Hoxha në KallxoPërnime.

Hoxha thotë se tre trupat janë gjetur në pozicione të ndryshme dhe rreth Manastirit të Banjskës, teksa shton se policia nuk ka shtënë në drejtim të manastirit por jashtë perimetrit të tij.

“Tre trupat janë gjetur në pozicione të ndryshme, rreth objektit të manastirit. Duhet pasur parasysh që ka qenë një direktivë e jona për të pasur kujdes gjatë përdorimit të armëve, forcës vdekjeprurëse, së pari të kemi kujdes që të mos ketë lëndime të civilëve, të pelegrinëve dhe personelit të manastirit që ishin brenda dhe të ketë kujdes që të mos dëmtohet manastiri si objekt i trashëgemisë kulturore fetare”- ka thënë Hoxha.

“Policët tanë nuk kanë shtënë në drejtim të manastirit, të shtënat janë bërë jashtë perimetrit të manastirit. Ata janë vra në afërsi të manastirit pastaj tek lokalet poshtë janë qëllu, mund të kenë lëvizë pastaj sepse në ato momente edhe mund të ketë lëvizje të personave të plagosur deri në një zonë të caktuar mirëpo dy trupa janë gjetë natën e 24 shtatorit ndërsa tjetri është gjetë të nesërme afër manastirit”- thekson ai.