Ilustrim: Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Si u ndanë ekipet për bastisje në Burgun e Dubravës?

Gjithsej 57 oficerë morën pjesë në bastisjen që u bë në pavijonin gjashtë të Burgut të Dubravës që u bë nën asistimin e Prokurorisë së Pejës, me qëllim të gjetjes së drogës dhe të telefonave.

Këta oficerë që bastisen pavijonin gjysmë të hapur u ndanë në pesë grupe, katër prej të cilëve do të intervenonin nga brenda e një nga jashtë.

Grupet nga brenda u obliguan që në detaje të inspektojnë qelitë e burgut e edhe të dënuarit, ndërsa grupi i pestë ishte nën përkujdesje që asnjëri nga të dënuarit të mos kishte mundësi të ikte në rast se do të tentohej diçka e tillë.

Në krye të kësaj bastisje, për të udhëhequr e monitoruar gardianët ishin zëvendësdrejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Qavolli, Sahide Gashi, prokurore e Krimeve të Rënda dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri.

Madje në ndihmë gardianëve u dolën edhe hetues të Drejtorisë për Hetim të Narkotikëve në Pejë, krim-teknika e edhe njësiti i qenve, K9, nga Policia e Kosovës.

Dy prej prokurorëve pjesëmarrës në bastisje iu nda nga një grup, e një prej tyre u detyra që të monitoronte dy grupe.

Udhëheqës i të gjithë ekipit u caktua të jetë udhëheqësi për siguri në SHKK, Besar Gashi.

Para se të fillonte bastisja, në hapësirat e zyrës së SHKK-së përballë 57 oficerëve, Dibrani e Qavolli ua shpjeguan oficerëve si do të ndodhtë e gjithë bastisja, mirëpo para se të ndahen detaje të tjera me gardianët, këtyre të fundit iu morën telefonat.

E kjo, sipas Dibranit, është bërë me qëllim që të mos ketë dyshime se ndonjëri nga gardianët do të informonte ndonjë person për aksionin që pritej të zhvillohej në Dubravë.

“Fillimisht oficerët kanë qenë të obliguar të dorëzojnë të gjithë telefonat për të mos dyshuar që ndonjëri prej tyre mund të informojë dikë për aksionin i cili do të zhvillohet” – u shpreh zëvendësdrejtori i SHKK-së.

Gardianëve si nga Dibrani ashtu edhe nga Qavolli iu kërkua që mbi të gjitha të respektojnë kodin e etikës dhe të respektojnë të drejtat e gjithsecilit pa dallim, si të stafit ashtu edhe të drejtat e të burgosurve.

Në bastisjen që zgjati dy orë u kontrolluan gjithsej 30 qeli të pavijonit numër gjashtë të këtij burgu.

Gjatë kësaj bastisjeje, në dhomat e pavijonit u tha se u gjet një telefon dhe një mbushës telefoni.

Dibrani tregoi për KALLXO.com se çfarë ndodhë në momentet kur një nga të dënuarit kapet me kontrabandë.

Në rast të tilla, ligji thotë se ndaj personit të dyshuar që potencialisht ka poseduar, shpërndarë apo shitur drogë brenda të gjitha qendrave korrektuese, të merret masa e burgimit prej 15 vite.

E nëse gjenden narkotikë apo edhe shkelje të tjera që kanë kryer të dënuarit e vendosur brenda pavijoneve gjysmë të hapura, siç është ai numër gjashtë i Burgut të Dubravës, atëherë ky person do të llogaritet sikurse të ishte pranim i ri.

Ndaj personit në fjalë të gjitha procedurat, sipas Dibranit do të fillonin nga zerot, e nëse ai apo ajo do të tregonte sjellje të mirë, do të angazhohej në punë do të shqyrtohej edhe mundësia që personit që ka bërë shkelje të kthehet në pavijon gjysmë të hapur, diçka që është shumë vështirë të ndodhë.

“Në momentin kur një i dënuar kapet me kontrabandë, ai duhet të fillojë një formë të planifikimit të dënimit prej zeros, do të thotë kthehet në regjimin brenda aty, pastaj duhet të tregoj sjellje korrekte për tu kthyer prapë, kështu që është shumë e vështirë të kthehet në këtë qeli ku jemi duke kryer bastisjen” – tha Dibrani.

Përpos këtij telefoni, zëvendësdrejtori i SHKK-së tha se janë gjetur edhe gjëra të tjera të palejueshme të cilat cenojnë sigurinë e institucionit, për të cilat tha se janë larguar dhe ndaj personave përgjegjës do të iniciohen procedurat disiplinore.