
Shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për Lotarinë
Komisioni për Buxhet Punë dhe Transfere e ka shtyrë për javën e ardhshme shqyrtimin në parim të Projektligjit për Lotarinë e Republikës së Kosovës pas dakordimit të deputetëve prezent për ta ftuar edhe ministrin e Financave dhe një përfaqësues nga lotaria e Kosovës.
Enveri Haliti deputet i LVV në emër të deputetëve nënshkrues e ka prezantuar projektligjin.
“Duhet pas parasysh që gjatë qeverisë Haradinaj është nxjerr ligji për shfuqizimin e gjitha ligjeve që kanë për qëllim gjitha lojërat e fatit. Me ato ligje është shfuqizu edhe lotaria”- tha Haliti.
Sipas Halitit me këtë projektligj janë shpjeguar kompetencat, mënyra e menaxhimit, etj.
Kjo sipas Halitit nuk nënkupton që po kthehen lojërat kazino ose bastoret sportive. Ai tha se ky projektligj ka të bëjë vetëm me lotarinë.
Eman Rrahmani deputet i LVV-së tha se nuk e mbështetë këtë ligj.
Ndërsa ka pasur pyetje për deputetin Haliti si propozues se cila është dobia që e kanë qytetarët prej këtij ligji.
Haliti tha se shumë veprimtari që bëhen mund të mos kenë dobi por si ligjvënës tha se e kanë obligim ta rregullojnë çdo fushë.
“Prej 2019 është shfuqizuar dhe ka punëtorë që në mënyrë të padrejtë ju ka mbyll vendi i punës… Ligji është përpara keni drejtë ta mbështesni ose jo. Unë konsideroj që është me interes që kjo fushë të rregullohet”- shtoi ai.
Avdullah Hoti, anëtar i komisionit nga LDK tha se e mbështetë këtë ligj.
“Ideja ka qenë në qeveritë paraprake që të bëhet ligj i lotarisë në bazë të standardeve dhe rregullativës evropiane”- shtoi Hoti.
Ai ka propozuar që ta shtyjnë këtë pikë për javën tjetër.
“Unë propozoj që ta shtyjnë shqyrtimin e këtij projektligji për javën tjetër dhe ta ftojnë ministrin e Financave dhe përfaqësuesin e lotarisë”, tha Hoti.
Ndërkaq Haliti tha se e vlerëson gatishmërinë e Hotit. Sipas tij projektligji është bartur nga legjislatura e kaluar.
“Jam dakord që të shtyhet javën e ardhshme. Ky ligj nuk kalon vetëm me përkrahjen e një partie politike duhet të ketë konsensus”- u shpreh Haliti.
Edhe Lushtaku tha se në komision do të duhej të ishte ministri i Financave.
Kryetari i Komisionit Armend Muja pasi u mbyllën diskutimet tha se kjo pikë shtyhet për javën tjetër.