Shtyhet për seancën e radhës miratimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike

Kuvendi i Kosovës përmes një mocioni ka shtyrë për seancën e radhës shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Kjo për shkak se ky projektligj nuk është trajtuar nga Komisioni i përhershëm për Komunitete dhe Kthim.

Deputetët përmes votës pro ndaj mocionit procedural kanë vendosur që Komisioni për komunitete dhe kthim të takohet dhe ta trajtoj ketë projektligj deri të hënën me 1 gusht në ora 12:00 dhe më pas Komisioni për Buxhet ta trajtojë të hënën deri në ora 16: 00.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se Komisioni për komunitete dhe kthim është një komision që e mban peng procedurën e ligjbërës në Kuvend.

“Të gjitha komisionet e kanë kthyer me komente përjashtim Komisionit për komunitete dhe kthim, është një komision që e mban peng procedurën e ligj bërjes në Kuvend. E vetmja formë është përmes shmangies së procedurës”, ka thënë ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se teknikisht ky projektligj ka hyrë në rend dite pa i kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

“Të hënën është rendit si pikë e rendit të ditës në ndërkohë Komisioni për buxhet të mërkurën e ka votua raportin dhe e ka dërgua në komisionet tjera të përhershme, pra teknikisht nuk ka qenë i përgatitur. Sugjeroj që kjo të shtyhet për seancën e javës së ardhshme, që komisioni ta kryej punën e vet”, ka thënë Hoti.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se sipas PDK-së ky projektligj duhet ti nënshtrohet seancës së radhës pasi që të përfundojë edhe procedura në komisione tjera që kanë mbet.

Ndërsa kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka thënë se arsyeja e futjes në rend të ditës ër sot është që të zënë afatin e projektligjit që ta marrë miratimin në lexim të dytë.

“E kuptoj që e kemi një problem përmbajtjesor me një Komision të përhershëm, atë të komunitete dhe kthim që në Kuvend tash e disa muaj nuk funksionin në kapacitetin e plotë”, ka thënë tutje Kusari-Lila.

Kuvendi në mars 2022 ka miratuar në parim projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Sipas memorandum shpjegimit të këtij projektligji, një prej objektivave kryesore që parashihet në hyrjen në fuqi të këtij ligji është rritja e transparencës se subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike gjatë fushatave.

“Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike, dhe organizime tjera të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në memorandumin shpjegues.