Miratohet projektligji për financim të subjekteve politike

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Para se të hidhej në votim ky projektligj, Shoqëria Civile ka mbajtur një konferencë për media para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku kishte kërkuar miratimin e këtij ligji.

“Ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, që të votojnë për miratimin e këtij projektligji në parim pa vonesa të mëtutjeshme”, kishte deklaruar Shoqëria Civile.

Sipas Shoqërisë Civile, kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile, vlerësojmë që zvarritja e mëtutjeshme e këtij projektligji është e paarsyeshme, si dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre”, kanë deklaruar ata.

Sipas memorandum shpjegimit të këtij projektligji, një prej objektivave kryesore që parashihet në hyrjen në fuqi të këtij ligji është rritja e transparencës se subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike gjatë fushatave.

“Si një prej objektivave kryesore që parashihet të arrihen me hyrjen në fuqi të këtij ligji është rritja e transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike e cila shpenzohet gjatë financimit të fushatave të subjekteve politike, dhe organizime tjera të cilat realizohen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në memorandumin shpjegues.

Tutje, thuhet se ky ligj nënkupton edhe një kontroll më të fortë i institucioneve përkatëse kompetente ndaj subjekteve politike.

“Hyrja në fuqi e këtij ligji nënkupton edhe një kontroll më të fortë i institucioneve përkatëse kompetente ndaj subjekteve politike, si në procesin e financimit të tyre, e po ashtu edhe auditimit të raporteve financiare nga auditorët profesional të cilët do të përzgjedhin në pajtim me dispozitat e këtij ligji, si dhe publikimit të atyre raporteve në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe i hapur”, shpjegohet tutje.

Këtu mund të gjeni të plotë procesin legjislativ të këtij projektligji.