Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtyhet mbledhja për vendimin se kujt do t’i jepet Hotel Grandi

Komisioni ndërministror për Investime Strategjike e ka shtyrë mbledhjen e sotme, në të cilën pritej të marrin raportin e ekspertëve mbi 3 ofertat për “Grand Hotel”.

Kjo mbledhje e Komisionit Ndërministror është shtyrë për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, njëherit edhe kryesues i këtij Komisioni e ka konfirmuar për KALLXO.com se e kanë shtyrë takimin.

“Nuk e kemi mbajtur takimin e Komisionit Ndërministror, e kemi shty për shkak se sot ka qenë seanca e Kuvendit të Kosovës. Të hënën prapë s’po mundemi me mbajtë për shkak se s’janë disa anëtarë, e po shohim tash gjatë javës tjetër kur po mundemi me mbajtë”, tha për KALLXO.com, ministri Vesel Krasniqi.

KALLXO.com ka kërkuar nga ministri Krasniqi që të lejohet monitorimi i mbledhjes së komisionit ndërministror por deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje.

Krasniqi tha se është duke u trajtuar kjo kërkesë.

“Po kërkesën e kemi marrë, tash të shohim se sa është e drejtë ligjore, por gjithsesi kur të merret vendimi ajo do të bëhet publike”, tha ministri Krasniqi.

Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike ka pranuar 3 oferta për “Grand Hotel”.

Abrazen LLC, Bau Investment LLC dhe Hill Rome LTD” janë 3 kompanitë të cilat kanë shprehur ionteres për të investuar në hotelin ikonë të Prishtinës.

Në lidhje më këtë aktivitet të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike ka reaguar sot gjatë ditës kompania Unio Commerce”,e cila dikur e kishte privatizuar “Grand Hotel”.

Sipas kësaj kompanie, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë rrezikon buxhetin e Kosovës me mbi 20 milionë euro nëse e shet Hotel Grandin.

“Njoftojmë opinionin e gjerë institucional, ndërinstitucional dhe medial se Hotel Grand Prishtina është pronë e kompanisë “Unio Commerce Sh.P.K” – Hani i Elezit dhe kjo çështje është në kontest gjyqësor me numër të vendimit A.nr.1011/12 i datës 21 qershor 2017″, thuhet në reagimin e kompanisë.

Kush janë kompanitë që po e duan “Grand Hotelin”?

Deri më tani, sipas njoftimeve zyrtare janë 3 kompani që ia kanë mësyrë “Grand Hotelit”.

“Abrazen L.L.C.”, është njëra nga kompanitë që ka shprehur interes për të investuar në ndërtesën në qendër të Prishtinës.

Pronar i “Abrazen L.L.C”. është kompania “Abrazen LTD” me bazë në Maltë. Blerim Devolli ka qenë drejtor në kompaninë “Abrazen” në Maltë e më vonë drejtor është bërë ish-drejtori i kompanisë “Birra Peja” që është në pronësi të Blerim Devollit.

Lidhjet e kompanisë “Abrazen L.L.C.” me kompaninë “Devolli Group”, që është në pronësi të Blerim Devollit dëshmohen në një dokument që është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në të cilën tregohet se “Devolli Group” është riemërtuar në “Abrazen L.L.C”.

“Bau Investment L.L.C.”, është kompania tjetër e cila po ashtu ka shprehur interes për të investuar në “Grand Hotel”.

Kjo kompani është regjistruar në Kosovë dhe regjistrimin në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve e ka bërë më 1 tetor të këtij viti.

Pronarë të “Bau Investment” janë “BAU HOLDING L.L.C.” me 95% të aksioneve dhe “A.S.H. Immoservice GmbH” me 5%.

Pronar i “BAU HOLDING L.L.C” është Bajram Gashani dhe sipas të dhënave në ARBK, kjo kompani ka kapital prej 1,965,124.00€.

Në bazë të postimit të bërë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kompania tjetër që ka shprehur interes për të investuar në “Grand Hotel” është “Hill Rome LTD”.

Kjo kompani figuron pronare e një biznesi në Kosovë që quhet “Hill Rome Kosovo”.

Përfaqësuesi i “Hill Rome Kosovo”, figuron Granit Imeri. I kontaktuar nga KALLXO.com, Imeri ka thënë që nga muaji prill nuk është duke punuar në këtë kompani. Ai nuk ka pranuar të japë asnjë informacion për pronarët e kompanisë e as së kënd e ka pasur drejtor gjatë kohës sa ishte në këtë kompani.

Mirëpo, nëse kërkon në internet për këtë kompani, të dërgon në vetëm një ëeb-faqe në të cilën thotë se kompania është themeluar në vitin 2016.

“Hill Rome” është një kompani ndërkombëtare e shërbimeve me zyra dhe projekte në British Virgin Island, Qipro dhe disa në Greqi. Hill Rome u themelua në vitin 2016 në Torotla, British Virgin Island”, thuhet në ëeb-faqen e kësaj kompanie.

Themeluesit e kësaj kompanie kanë njoftuar se janë të vendosur me zyrë në Qipro, por janë themeluar në Britisht Virgin Island.

Sipas të dhënave zyrtare të British Virgin Island, në këtë shtet janë mbi 370 mijë kompani të regjistruara, derisa popullsia është rreth 35 mijë banorë.

BVI janë të njohur si parajsa tatimore dhe njëkohësisht për regjistrimin e bizneseve ofshore, ku ndër të tjera pronarë nuk janë publikë.

Mirëpo për këtë kompani mungojnë të dhënat se kush është pronari.

“Grand Hotel” ishte privatizuar fillimisht në kohën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Për të janë paguar mbi 8 milionë euro, ndërsa investitori ishte zotuar se do të investonte 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë. Hoteli ishte privatizuar nga kompania “Union Commerce”, me pronar Zelqif Berishën, mirëpo më vonë Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kishin pretenduar se kanë aksione në këtë hotel. Palët ishin përfshirë në një kontest gjyqësore për pronësinë. Por, pas dështimit për të realizuar investimet e zotuara, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’i tërheqë aksionet dhe e kishte marrë hotelin sërish në pronësi.

Ligji për Investime Strategjike, përmes të cilit po synohet të privatizohet “Grand Hotel”, pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017. Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.

Prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji u jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.

Kompanitë e lidhura me Devollin dhe “Bau Holding” mësyjnë “Grand Hotelin”