Shtrembërimi dinak i Serbisë në Kosovë

Çelësi për t’i kuptuar konfliktet e dhunshme në veri të Kosovës nuk qëndron në Prishtinë, por në Beograd.

Edhe një herë, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në përplasjet e dhunshme mes pakicës serbe në veri të Kosovës. Mirëpo çelësi për ta kuptuar krizën aktuale nuk qëndron në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, por në Beograd. Përballë presionit të brendshëm politik, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po kërkon përshkallëzim në afërsi, jshtë Serbisë. Ky është një model i përsëritur që bie ndesh me interesat afatgjata perëndimore në rajon.

Të hënën e kaluar, të paktën 30 ushtarë u plagosën, disa prej tyre rëndë, në përleshjet midis paqeruajtësve të KFOR-it (NATO-s) dhe protestuesve serbë në Zveçan. Në një deklaratë zyrtare për media, zyrtarë nga NATO folën për lëndime që rezultuan nga mjetet shpërthyese të bëra vetë dhe nga armët e zjarrit. Të martën, aleanca më pas njoftoi se do t’i dërgojë 700 ushtarë shtesë në Kosovë. NATO-ja duhej të ndërhynte pasi kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës – ku serbët e Kosovës janë shumicë – u penguan të hynin në godinat e komunave nga protestuesit dhe policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës, ndër të tjera, për të pasur qasje. 

Evokim reagimesh në shoqërinë serbe

Sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s është një pikë e re e ulët në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Serbi, deri në 60,000 njerëz kanë protestuar vazhdimisht kundër presidentit Vuçiq dhe qeverisë së tij përreth tri javë. Këto janë protestat më të mëdha në Serbi që nga rënia e ish-presidentit Slobodan Millosheviq. Fillimisht, protestat u shkaktuan nga dy akte dhune, të cilat rezultuan në një përshkallëzim jashtëzakonisht të papritur të situatës politike.

Në Beograd, më 3 maj, një nxënës 13-vjeçar në një shkollë fillore vrau me armë zjarri tetë shokët e tij. Disa nxënës të tjerë u plagosën dhe dy të tjerë vdiqën nga plagët e marra. Krimi është kryer me armën e të atit. Natën tjetër, në qytetin e Mlladenovacit, afër Beogradit, një 21-vjeçar vrau përsëri tetë persona kur qëlloi nga një veturë në lëvizje.

Përtej opozitës parlamentare, dëshira për mosdhunë duket se ka evokuar reagime në shoqërinë serbe. Që nga viti 2012, kur mori qeverisjen në dorë, Vuçiq nuk është përballur me aq presion politik të brendshëm sa tani. Por, që nga java e kaluar, fokusi nuk ka qenë tek protestat por tek ajo që po ndodh në Kosovë.

Situata e sigurisë në veri të Kosovës ka qenë e brishtë prej muajsh që kur serbët e Kosovës – me urdhër të Beogradit – u tërhoqën nga institucionet shtetërore të Kosovës (duke përfshirë gjyqësorin, policinë dhe qeverinë). Ata kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste për shkarkimin e komandantit të policisë serbe të Kosovës nga autoritetet qendrore të Kosovës në nëntor të vitit 2022. Kësaj i parapriu një mosmarrëveshje për masat e reciprocitetit në njohjen e targave të veturave vitin e kaluar.

Protestat dhe trazirat aktuale janë produkt i zgjedhjeve jofunksionale vendore që supozohej të përdoreshin për t’i plotësuar ato poste. Zgjedhjet ishin bojkotuar nga Lista Srpska, një parti e kontrolluar nga Beogradi, me arsyetimin se së pari duhet të krijohej një asociacion me shumicë komunash serbe (tani një pikë kryesore e mosmarrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi). Gjithashtu, u bë presion masiv ndaj serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.

Pavarësisht nga një pjesëmarrje minimale e votuesve prej më pak se pesë për qind, qeveria e Kosovës u mbështet në rezultatet e zgjedhjeve dhe fituesit u betuan. Kjo u pasua nga protestat dhe trazirat e dhunshme të përshkruara si më sipër. Nga kjo plejadë, mund të shihet shumë qartë se si regjimi serb gjeneron qëllimisht situata të brishta sigurie në vendet fqinje (përveç Kosovës, edhe në Bosnje dhe Hercegovinë) për t’i aktivizuar më pas – nëse është e nevojshme.

Ndjekja e një rruge të gabuar

Megjithatë, nëse i ndjekim deklaratat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe përfaqësuesve gjermanë, qeveria Kurti është fajtore për përshkallëzimin e ri. Por kjo kritikë është joproporcionale pasi e injoron nxitësin aktual të krizës së përtërirë. Protestat nuk janë veprime të qytetarëve të zemëruar që grumbullohen për ta shprehur një indinjatë legjitime spontane ndaj qeverisë qendrore, por produkt i instrumentalizimit të pakicës serbe nga regjimi i Vuçiqit.

Ashtu sikurse me bojkotin e zgjedhjeve lokale në prill, shtrirja e plotë e kontrollit social të Beogradit në veri të Kosovës përmes Listës Srpska dhe strukturave të tjera është evidente. Arkitekti i situatës së brishtë të sigurisë në veri të Kosovës është në Beograd, jo në Prishtinë. Me siguri mund të kritikohet qeveria Kurti për mungesën e deeskalimit. Por të mos e emërosh qartë aktorin e përshkallëzimit e as të përballesh me të, duket e çuditshme.

Gjithashtu nuk është plotësisht e qartë se çfarë mund të kishte bërë Prishtina ndryshe. Fakti është se zgjedhjet lokale u mbajtën – pas disa shtyrjeve në favor të dialogut Kosovë-Serbi – me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, bojkoti në prag të zgjedhjeve, i cili u urdhërua përfundimisht nga Beogradi, nuk u kritikua sa duhet nga përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it. Zgjedhjet më pas rezultuan me emërimin e katër kryetarëve të komunave me origjinë shqiptare kosovare, tre prej të cilëve po i kryenin punët e tyre zyrtare në godinat e komunave të tyre përkatëse nën mbrojtjen e policisë.

Sigurisht, qeveria Kurti është dashur të koordinohet më mirë me KFOR-in para operacionit policor të premten e kaluar. Megjithatë, vënia në dukje e kësaj mundësie është shumë e lirë në sfondin e tensioneve të fundit në fund të vitit të kaluar dhe menaxhimit të krizës ndërkombëtare. Në atë kohë, KFOR-i – në kundërshtim me mandatin e tij – nuk ndërhyri dhe u përmbajt nga pastrimi i postblloqeve gjatë një periudhe disajavore. Dështimi për të ndërhyrë sërish do të nënkuptonte shpallje falimentimi nga ana e qeverisë Kurti dhe shtetësisë së saj. Ky është një skenar klasik i bazuar në moton: pa marrë parasysh si e bëni, e bëni gabim.

Nëse jo për diç tjetër, Prishtina mund të akuzohet se e ka humbur një mundësi për t’i mos i lënë asnjë vend provokimit të Serbisë, duke mos i dhënë kështu Vuçiqit mundësinë për t’ia futur zjarrin Kosovës për mobilizim të brendshëm politik. Një anashkalim i zgjuar do ta kishte ndihmuar Prishtinën që krejt fokusi të mbetej në protestat në Beograd.

Braktisja e objektivave naive perëndimore

Sado zhgënjyese jokonstruktive që mund të duket ndonjëherë qeveria Kurti, nuk duhet të shpërfillet burimi i konfliktit dhe shkaktari i tensioneve aktuale, përkundër të gjitha kritikave të justifikuara ndaj menaxhimit të krizës. Koha e trazirave, përveç lidhjeve të gjera operative të dokumentuara publikisht midis Beogradit dhe banditëve gjysmë-profesionistë të përfshirë në protesta dhe veprime të mëparshme militante, duhet të sigurojë informacion të mjaftueshëm për agjitatorin dhe përfituesin e situatës aktuale. Fakti që ushtarët e KFOR-it tani janë lënduar në këto trazira duhet t’i shtyjë njerëzit të mendojnë, të reflektojne dhe të bëjnë thirrje për ndryshim të politikës.

Politika aktuale e Gjermanisë dhe e SHBA-së në konfliktin Kosovë-Serbi duket se ndjek objektivin kryesor për ta lidhur Serbinë sa më ngushtë me kampin euroatlantik në funksion të konfliktit me Rusinë. Duke pasur parasysh rolin destabilizues që luan regjimi i Vuçiqit duke i instrumentalizuar rregullisht pakicat serbe në të gjithë rajonin – kundër qeverive përkatëse kombëtare ose, në rastin e Kosovës, kundër shtetësisë së saj – kjo politikë është të paktën dritëshkurtër, nëse jo naive. Rritja e kohëve të fundit në intensitetin e strategjisë së Beogradit ‘përshkallëzohet në de-përshkallëzim’ sugjeron nevojën për një ndryshim të politikës që e identifikon qartë dhe përballet më me vendosmëri me antagonizmin në politikën e jashtme serbe.

Shkalla e protestave në Serbi e shpërfaq shkallën e pakënaqësisë së serbëve ndaj qeverisë dhe dedemokratizimit të këtij vendi. Dëshira për ndryshim dhe për një ridemokratizim të një sistemi që ka kohë që ka rrëshqitur në autokraci është shumë e qartë. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’i ndjekë taktikat e diversionit në Kosovë, por ta kthejë vëmendjen në situatën e brendshme në Serbi. Duke vepruar kështu, ajo duhet të kërkojë edhe dialog me protestuesit për kërkesat e tyre./ips-journal.eu

International Politics and Society (IPS), është një revistë online që vë theksin tek pabarazia globale dhe sjell perspektiva të reja për çështje të tilla si mjedisi, integrimi evropian, marrëdhëniet ndërkombëtare, demokracia sociale dhe politikat e zhvillimit.

Përgatiti: Nuhi Shala