
Shtiu me armë në qendër të Prishtinës, identifikohet dhe prangoset i dyshuari
Policia e Kosovës njofton se ka intervistuar një person i cili po dyshohet se ka kryer veprat penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dhe – armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit rasti ka ndodhur sot rreth orës 02:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, ku i dyshuari nga automjeti i tij në lëvizje e sipër ka shtënë (në ajër) me armë zjarri.
“Menjëherë pas raportimit, hetuesit e stacionit policor Qendra, kanë filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin”- thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se puna e hetuesve ka rezultuar me identifikimin e të dyshuarit M.H. 31-vjeçar dhe është sekuestruar arma që dyshohet të jetë përdorur në rast.
I dyshuari është intervistuar nga Policia dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar rast për veprat – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dhe – armëmbajtje pa leje.