Për një javë dyfishohet numri i pacientëve me COVID-19 nëpër spitale

Për një javë është dyfishuar numri i pacientëve që janë të infektuar me COVID-19 nëpër spitalet e vendit.

Përderisa të premten e javës së kaluar, me 3 korrik, në QKUK ishin të shtrirë 141 pacientë, sot me 11 korrik në QKUK dhe 7 spitalet publike rajonale janë duke u trajtuar 301 pacientë me COVID-19.

Të premten e 3 korrikut, në Klinikën Infektive ishin të shtrirë 112 pacientë, në pulmologji dhe me oksigjenoterapi ishin 20 pacientë dhe në mjekësinë sportive 9 pacientë me COVID-19.

Ndërsa në njoftimin e QKUK për ditën e sotme, u tha se janë të shtrirë 301 pacientë, përfshirë këtu edhe në 7 spitalet publike rajonale.

Sipas këtij njoftimi, 186 pacientë janë në oksigjenotreapi, 132 në QKUK dhe 52 në Spitalet Rajonale.

Nga 301 pacientë, 22 prej tyre janë të rënduar e me përkujdesje intensive.