Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK: Më shumë lirim se pranim të pacientëve me COVID-19

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se bazuar në raportet e dërguara nga klinikat COVID-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në 24 orët e fundit ka pasur më shumë lirime të pacienteve, krahasuar me numrin e pranimit të tyre.

Në njoftimin e tyre potencohet se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pasur 25 pranime të pacientëve, kundrejt 40 lirimeve të tjera që janë bërë nga ana e mjekëve. Ndërsa, në spitalet e përgjithshme ka pasur 51 pranime, kurse 56 lirime të pacientëve.

Në njoftim thuhet se në tërë Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, trajtim mjekësor po marrin 1,002 pacientë, prej tyre 887 me COVID-19 pozitivë, 838 me oksigjeno-terapi dhe 65 në kujdes intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore.

Në klinikat e QKUK-së numri i pacientëve është si në vijim: Klinika Infektive – 99 pacientë, Klinika Infektive II ( Mjekësi Sportive) – 88 pacientë, Klinika Infektive III ( Interno) – 64 pacientë, Klinika e Pulmologjisë – 74 pacientë, Mjekimi Intensiv COVID-19 dhe Mjekim Intensiv në Klinikë Infektive – 28 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë – 14 pacientë dhe Klinika e Pediatrisë – një pacient.

Numri i pacientëve në spitalet e përgjithshme: Spitali i Prizrenit – 131 pacientë, Spitali i Gjakovës – 76 pacientë, Spitali i Pejës – 192 pacientë, Spitali i Gjilanit – 90 pacientë, Spitali i Vushtrrisë – 23 pacientë, Spitali i Mitrovicës – 55 pacientë dhe Spitali i Ferizajt – 67 pacientë.