Shqipe Mehmeti – Selimi: Rexhep Selimin e mbron e drejta, emri dhe vepra e tij 

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shqipe Mehmeti – Selimi, njëherësh bashkëshortja e ish – drejtuesit të UÇK-së Rexhep Selimi që tash ndodhet në Hagë i akuzuar nga Gjykata Speciale, ka reaguar përmes një shkrimi në llogarinë e saj në facebook në lidhje me, siç thotë ajo ‘thirrjet që po i bëhen për të reaguar për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin’.

Ajo thotë se Selimin nuk ka nevojë ta mbrojë ajo, pasi atë e mbron e drejta, emri dhe vepra e tij.

Postimi i Shqipe Mehmeti – Selimit në facebook, të cilit i ka bashkëngjitur edhe një fotografi të kohës së luftës në Kosovë në të cilën shihet edhe Rexhep Selimi që bashkë me luftëtar tjerë, bartin mbi super një të plagosur:

Po i lexoj e po i dëgjoj aty-këtu disa thirrje në adresën time se po u dashka të reagoj sa herë përmendet emri i Rexhep Selimit në opinion.

Për më tepër po kërkohet nga unë t’i komentoj edhe disa postime të viteve të kaluara!

Ato shkrime e postime të vjetra, që së fundi u bën aktuale, i ka parë edhe vet Rexha sa ishte në Kosovë, por nuk i ka vlerësuar aq me vlerë e as aq të rëndësishme sa t’i replikonte e t’i komentonte.

Prandaj unë sot nuk kam nevojë t’ua rris vlerën atyre postimeve.

Rexhep Selimi nuk është në atë gjendje sa te ketë nevojë ta mbrojë bashkëshortja e tij. Atë e mbron e drejta, emri dhe vepra e tij. Ai nuk ka nevojë ta mbroj unë e as të flas në emër të tij.

Nëse ka nevojë, unë do ta bëj me shumë vullnet dhe me krenari. Por, Rexha do të kthehet dhe do të flas vetë, e atëherë shumë pikëpyetjeve do t’ju vihet pika.

Në ndërkohë unë do të vazhdoj të kryej me nder dhe krenari detyrën dhe mandatin që ma kanë dhënë votuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.