Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpronësimet në veri “trazojnë” raportet mes autoriteteve vendëse dhe aleatëve ndërkombëtarë

Vendimi për shpronësimin e 100 parcelave në komunat në veri të Kosovës ka shkaktuar sërish përplasje qëndrimesh mes autoriteteve vendëse dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kësaj radhe vërejtjet janë dhënë duke pasur për kryefjalë “(pa)ligjshmërinë” e vendimit të Qeverisë.

Përderisa shtetet e QUINT-it thanë njëzëri që vendimi i 30 majit “ tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”, Zyra e Kryeministrit dhe Presidenca e mohuan kategorikisht një gjë të tillë.

Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani tha se shpronësimet janë në harmoni me ligjin dhe pa asnjë lloj diskriminimi.

“Përderisa shpronësimet janë në përputhje me ligjin e Kushtetuten, si presidente e përkrahi cdo iniciativë për sigurinë nacionale. E tëra që Kosova ka bërë është respektim i standardit të Gjykatës Europiane. Nuk shoh tendencë për diskriminim, po thjesht respektim të Kushtetutës”- tha Osmani më 07.06.2024, pas deklaratës së përbashkët të vendeve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

Më herët edhe Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së.

“Ne besojmë që të gjithë pajtohen që para ligjit të gjitha rajonet e Kosovës duhet të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë” – shkruan në deklaratën e Qeverisë më 06.06.2024.

Sipas Qeverisë, shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve. 

“Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”- thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Për reagimet e fundit në lidhje me këtë çështje, profesori universitar, Seb Bytyqi, thotë se këto raste “nuk mund të ngjyrosen të gjitha me një brushë”, por duhet të shqyrtohen individualisht sipas meritave të veta.

“Futja e të gjitha rasteve në një thes dhe etiketimi i tyre e pengon drejtësinë”- tha ai për Kallxo.com.

Këto reagime erdhën pasi që më 06.06.2024, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe OSBE-në, shprehën keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria.

Në deklaratën e përbashkët drejtuar autoriteteve të Kosovës shkruan se disa nga misionet e vendeve të QUINT-it kanë ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Se disa shtete nuk janë të kënaqur me vendimin e Qeverisë për shpronësimet në veri, ishte bërë e njohur edhe muaj më parë nga i dërguari i posaçëm Gabriel Escobar, edhe pse atëkohë nuk ka pasur vendim përfundimtar nga Qeveria,  pasiqë vendimi është marrur më 30.06.2024.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në Veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”- deklaroi Escobar më 15.03.2024, kur Kosova kaloi hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Qeveria e Kosovës kishte filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik.

Sipas Qeverisë, këto prona janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Në vendimin përfundimtar të Qeverisë, thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak. Ndërkaq, bazuar në vendimin paraprak, ishte planifikuar që të shpronësohen rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Fillimisht, më 16.01.2023, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publike të pronave të paluajtshme duke i konsideruar ato si zona me interes publik. Këto zona kadastrale gjenden në fshatrat Dren e Leshak në Komunën e Leposaviqit.

Më 09.03.2023, tri ankesa nga një grup banorësh nga fshati Dren i komunës së Leposaviqit i kishin dërguar të Avokati i Popullit. 

Shpronësimet u bën nën arsyetimet për ndërtime me interes publik. Menjëherë pas këtij vendimi nisën edhe disa protesta nga banorët e fshatit Dren. Ata, për disa ditë më radhë protestuan, pasi në tokat e tyre që u shpronësuan nisi ndërtimi i stacionit policor.

Kërkesa e banorëve ishte që ta tërheqin vendimin për shpronësimin e tokave. Pas disa ditë protestash, ndërtimi atje u ndal.

Disa banorë pretendojnë se disa nga parcelat janë në emër të tyre, ndërsa sipas tyre Qeveria e Kosovës pa paralajmërim shpronësoi ato për të ndërtuar stacionin policor në fshatin Dren të Leposaviqit.

Para një viti, ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, tha se problemet me të cilat janë ballafaquar qytetarët në veri të Mitrovicës kanë bërë që shumë prej tyre ta braktisin vendin.

“Askush nuk ka dashur që të dëgjoj ankesat e banorëve këtu, as ndërkombëtarët e as qeveria. Në këtë takim janë vetëm pronarët e pronave që qeveria i shpronësoi. Mungoi komunikimi për këtë çështje”- tha Todiq.

Nebojsha Vlajiq, në cilësi të avokatit, kishte thënë se ligji për shpronësimet është shkelur rëndë.

“Të gjitha ato vendime janë të fshehta pavarësisht se ato janë të publikuara në faqen zyrtare. Janë te fshehta sepse aty nuk është thënë se çka do të ndërtohet. Nëse nuk tregon çka ndërtohet nuk mund të konfirmoj se ekziston një interes publik”- kishte thënë ai gjatë takimit. 

Më 10.05.2023, Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendimin për shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Atëkohë, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që “të respektojnë me përpikëri procedurat ligjore në lidhje me shpronësimin e pronës së paluajtshme”, dhe të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të garantuar respektimin e të drejtave pronësore të pronarëve të tokave.

Sipas BE-së, Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë një sërë procedurash përpara përfundimit të procesit, sepse “shpronësimi është një proces i ndjeshëm nga natyra”.