Avokati i Popullit, Naim Qelaj, zv. Avokatja Maria Raduleviq, Foto: KALLXO.com

Avokati i Popullit dëgjoi ankesat e qytetarëve nga Leposaviqi që po kundërshtojnë shpronësimin e tokave

Tri ankesa nga një grup banorësh nga fshati Dren i Komunës së Leposaviqit e kanë dërguar Avokatin e Popullit, Naim Qelaj pikërisht në këtë zonë.

Arsyeja ishte, shpronësimet të disa parcelave në disa lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës, për të cilat pati protesta nga ana e banorëve që  jetojnë në atë zonë.

Banorët që ishin prezentë në takimin me Avokatin e Popullit, Foto: KALLXO.com

Këto parcela disa banorë pretendojnë se janë në emër të tyre ndërsa sipas tyre Qeveria e Kosovës pa asnjë paralajmërim shpronësoi ato për të ndërtuar stacionin policor në fshatin Dren të Leposaviqit.

Më 16 janar, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për shpalljen me interes të veçantë publike të pronave të paluajtshme duke i konsideruar ato si zona me interes publik.

Këto zona kadastrale gjenden në fshatrat Dren e Leshak në Komunën e Leposaviqit.

Para se të hynte në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, aty ku do të niste një takim me banorët e Leposaviqit dhe atyre që ishin prekur nga vendimi i 16 janarit të Qeverisë së Kosovës për shpronësime, Avokati i Popullit, Naim Qelaj para mediave tha se ishte në atë zonë pas disa ankesave që kishin shkuar në zyrën që ai drejton.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, zv. Avokatja Maria Raduleviq, Foto: KALLXO.com

Qelaj me vete kishte edhe një pjesë të zyrës së tij, edhe zëvendësen e zyrës së Avokatit të Popullit, Maria Raduleviq.

“Këto ditëve të fundit kemi pranuar disa ankesa prej grupeve të qytetarëve dhe kemi fillu hetime në bazë të pretendimeve që kanë ngritur qytetarët kështu që e kam pa të rrugës me ardh me i taku qytetarët që janë ankuar. Interesi im është me i njoftu për situatën për të drejtat e njeriut në respektimin e tyre sidomos pas ngjarjeve të fundit”- tha Qelaj para se të hynte në ndërtesën e komunës.

Në fillim të takimit, Qelaj nisi të tregoj se pse ishte mes banorëve e qytetarëve të Leposaviqit.

Në këtë takim morën pjesë disa qytetarë por edhe për këtë çështje pati kritika pasi u tha nga banorët se nuk pati thirrje publike për një takim të tillë.

Ai përmendi se zyra të cilën drejton ka pranuar tri ankesa në lidhje me procesin e shpronësimit të pronave private në Leposaviq.

I pari që mori fjalën për të treguar problemin e shpronësimeve ishte ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq.

Ai tha se problemet me të cilat janë ballafaquar qytetarët në veri të Mitrovicës kanë bërë që shumë prej tyre ta braktisin vendin.

“Askush nuk ka dashur që të dëgjoj ankesat e banorëve këtu, as ndërkombëtarët e as qeveria. Në këtë takim janë vetëm pronarët e pronave që qeveria i shpronësoi. Mungoi komunikimi për këtë çështje”- tha Todiq.

Zoran Todiq, ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit, Foto: KALLXO.com

Ai shtoi se muajin e kaluar kanë marrë pjesë në një takim lidhur me shpronësimet. Ky takim ishte organizuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Janë ndërtuar objekte për nevoja të njësive speciale të policisë dhe pas ndërtimit të këtyre objekteve ka nisur projekti i shpronësimit”- shton tutje Todiq.

Todiq kritikoi qeverinë deri sa shtoi se ata nxjerrin ligje dhe vet i shkelin ato.

“Qeveria është ajo që i propozon ligjet dhe ajo vet i shkel ato. Çështjen e shpronësimit e kemi marrë vesh nga mediat. Qeveria ka vendosur që të shpronësoj parcela në një komunë që nuk është as funksionale”- tha Todiq.

Në fshatin Dren sipas Todiq, është ndaluar punimi i stacionit policor, por mjetet e rënda të ndërtimit janë ende aty.

Todit thotë se në lidhje me shpronësimet ka shkelje të rënda.

Ai madje përmendi edhe prezencën e njësive speciale në veri të Mitrovicës.

“Prezenca e madhe e njësive speciale është diçka që ndjejmë mosbesim, diçka që banorët në Leposaviq nuk e përjetojnë si shtrirje të dorës së pajtimit, e konsiderojmë si tension të shtuar me qëllimin që ne të mos jemi këtu”- përfundoi Todiq.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj gjatë gjithë kohës sa dëgjoi disa prej banorëve, mbajti shënime në lidhje me ankesat e tyre.

Nebojsha Vlajiq, në cilësi të avokatit, tha se ligji për shpronësimet është shkelur rëndë.

“Në shumë raste qeveria ka marrë toka dhe ka përfunduar punimet dhe pastaj ka marrë ndonjë vendim. Të gjitha ato vendime janë të fshehta pavarësisht se ato janë të publikuara në faqen zyrtare. Janë te fshehta sepse aty nuk është thënë se çka do të ndërtohet. Nëse nuk tregon çka ndërtohet nuk mund të konfirmoj se ekziston një interes publik. Si mund ta gjejnë qytetarët interesin publik nëse nuk e dinë për çka është marrë një tokë. A do të ndërtoj qeveria ndonjë park, vilë askush asgjë nuk ka thënë”, tha avokati i disa banorëve në takim.

Avokati i disa banorëve në fshatin Dren, Foto: KALLXO.com

Qytetari tjetër pyeti Avokatin e Popullit nëse Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut lejon marrjen e tokës së banorëve.

“Në tokat që janë uzurpuar me vendim të vitit të kaluar tashmë janë ndërtuar bazat policore, në tokat që janë përfshirë në vendimin e këtij viti është përpjekur të arrihet e njëjta gjë por me presionin tonë, tani për tani nuk janë duke u kryer punime”- tha Ciprijanoviq.

I njëjti shtoi se nuk kanë ide për përmbajtjen e shpronësimeve.

“Kjo kërkesë edhe nëse ekziston me siguri nuk gjendet në ndonjë sirtar nuk i është dërguar asnjë personi që është interesuar, asnjë akt nuk e përmban në mënyrë të hollësishme përmbajtjen e qëllimit publik, askush nuk e di cili është interesi publik”- shtoi ai.

Avokati i Popullit për gati 1 orë e 40 minuta dëgjoi ankesat dhe pretendimet e banorëve të fshatrave Dren e Leshak të Komunës së Leposaviqit.

Komuna e Leposaviqit, Foto: KALLXO.com

Ai tha se me të gjitha ankesat do të merret një e nga një. Tutje ai përmendi edhe faktin se për takimin e mbajtur sot në ambientet e Komunës së Leposaviqit ishin dakorduar së bashku me shoqëritë civile dhe më pas avokati kishte shprehur gatishmërinë.

“Për mua si Avokat i Popullit është e rëndësishme që çdo vendim i qeverisë të bazohet në disa principe, transparenca është e para që ju po deklaroni se mungon, ligjshmëria dhe zbatimi i procedurave ligjore, diskutimi publik si formë e transparencës dhe interesi i përgjithshëm si një prej parimeve që udhëheq çdo veprim të autoriteteve publike”- tha Qelaj.

Protestat për shpronësimet- ekipet policore zënë vend në hyrje të fshatit Dren

Më 16 janar Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për shpronësimin e disa zonave kadastrale në fshatrat Dren e Leshak në Komunën e Leposaviqit.

Shpronësimet u bën nën pretendimet për ndërtime me interes publik.

Menjëherë pas këtij vendimi nisën edhe disa protesta nga banorët e fshatit Dren.

Ata për disa ditë më radhë protestuan pasi në tokat e tyre që u shpronësuan nisi ndërtimi i stacionit policor.

Kërkesa e banorëve ishte që ta tërheqin vendimin për shpronësimin e tokave.

Pas disa ditë protestash, ndërtimi atje u ndal.

Edhe sot që nga fillimi i shkurtit, çdo ditë 3-4 banorë rrinë në një tendë e cila është vendosur në fillim të rrugës që të dërgon për në fshatin Dren.

Ata nga aty mbikëqyrin nëse po kalojnë makineri të tjera të rënda që ndihmojnë ndërtimin e objektit.

KALLXO.com mësoi gjatë ditës së sotme se në fshatin Dren janë ndaluar punimet.

Në fillim të rrugës vetëm pak metra larg tendës së vendosur nga banorët serb janë të vendosura tri makina të Policisë së Kosovës të cilët qëndrojnë aty për të mbikëqyrur sigurinë në atë zonë.

Policia e Kosovës në rrugën për fshatin Dren, Leposaviq, Foto: KALLXO.com