Mitrovice- veri - 08.12.2018

Shkollat në Kosovë që punojnë me plan-program të Serbisë rihapen më 1 qershor

Shkollat në Kosovë të cilat funksionojnë sipas planit dhe programit të Serbisë, po përgatiten që të rihapen më 1 qershor, raporton Radio KIM.

Muajin që vjen do të mbahet edhe testi i maturës për shkollat fillore të klasës së tetë, por edhe për maturantët që pritet të jenë studentë të ardhshëm, ndërsa të njëjtit tashmë kanë filluar përgatitjet dhe po mësojnë për testin e maturës.

Ministri i Arsimit në Republikën e Serbisë Mladen Sarçeviq ka bërë të ditur se aktivitet nëpër shkolla do të rifillojnë më 1 qershor, me vlerësimin përfundimtar të nxënësve që planifikohet të realizohet për disa ditë në disa programe që përfundon me datë 8 qershor.

Drejtoresha e shkollës ekonomiko-tregtare të Prishtinës me seli në Llapnasellë Dragica Mitiq, ka thënë që shkolla që ishte mbyllur si pasojë e pandemisë, do të rihapet më 1 qershor sipas rregullave të Ministrisë së Arsimit së Republikës së Serbisë.

“Prej 1 deri më 3 qershor nxënësit që nuk janë të kënaqur me notat e përfunduara, mund t’i përmirësojnë ato nota. Më pas fillohet me provimin e maturës, që përbëhet nga katër pjesë dhe që kryhet brenda katër ditëve. Ditën e parë është provimi nga gjuha serbe, ditën e dytë nënshtrohen testit për punën praktike, më pas vazhdon mbrojtja e punës praktike dhe ditën e katërt është provimi nga lënda zgjedhore. Pres që provimet të përfundojnë deri më 8 qershor”, ka thënë Mitiq.

Mitiq ka thënë që nxënësit e shkollës së mesme mund të përmirësojnë vlerësimet apo notat e tyre deri më 15 qershor, kur edhe është planifikuar mbyllja e vitit shkollor.

Këto shkolla nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e mbajtjes së mbrëmjeve të maturës, për këtë drejtoresha e shkollës Dragica Mitiq ka thënë se po presin një përgjigje përfundimtare nga Ministria e Arsimit e Serbisë.

Mirëpo tre ditë më parë Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, përmes një publikimi në Facebook kishte thënë se nuk mund të ketë organizime të mbrëmjes së maturës derisa Kosova gjendet me pandemi.

Bajrami: S’mund të ketë organizime të mbrëmjeve të maturës në këtë kohë