Ilustrim

Shkolla e Prishtinës ndërron agjendën e festës shkaku i frikës nga coronavirusi

Shkolla “Dardania” në kryeqytet ka ndryshuar agjendën e festimit të ditës së shkollës. Ky vendim ndërlidhet me parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Lajmin për KALLXO,com e ka konfirmuar drejtori i kësaj Isak Bregaj, i cili ka thënë që në 35 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle kishin planifikuar një ceremoni të madhe.

“Ne kemi planifikuar të thërrasim media, përfaqësues të Ministrisë, zyrtarë të ndryshëm, me bo me dyer të hapura sepse është 35 vjetori i themelimit të shkollës. Tash pasi kemi biseduar me këshillin e shkollës, nuk do të bëjmë një ceremoni shumë të madhe por do ta festojmë brenda shkollës“, tha ai.

Më 27 mars, pritet që me dyer të mbyllura e pak mysafir kjo shkollë ta organizojë një program.

‘Kemi ndryshuar agjendën e festimit të ditës së shkollës. Ky vendim është marrë si mbrojtje nga virusi pas sugjerimit të këshillit drejtues të shkollës që të veprohet në këtë mënyrë”, tha tutje ai.

Në Kosovë nuk ka asnjë rast të coronavirusit.

Ndërsa sot kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se për shkak të përhapjes së shpejtë të coronavirusit, duhet marrë parasysh mbylljen e shkollave dhe ndalimin e tubimeve publike.

Ai ka kërkuar që kjo gjë të konsiderohet sa më shpejt.