Gazmend Halilaj- FOTO KALLXO

Shkoi në Prokurori, avokatit Gazmend Halilaj i konfiskohet arma dhe karikatori me tetë fishekë

Mëngjesin e së hënës , Policia e Kosovës i kishte gjetur një karikator me tetë fishekë në çantën e punës avokatit, Gazmend Halilaj.

KALLXO.com merr vesh se në Pallatin e Drejtësisë deri sa avokati Gazmend Halilaj po kontrollohej nga skanerët e sigurisë në objektin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ishte detektuar se ai në çantë kishte karikator dhe tetë fishekë.

Përveç karikatorit, avokatit Halilaj në veturën të cilën e kishte të parkuar në parkingun e Pallatit të Drejtësisë i ishte gjetur edhe një armë me një karikator tjetër.

Një gjë e tillë është bërë e ditur edhe në raportin policor të ditës së djeshme. Rasti është hapur ndaj avokatit Halilaj për armëmbajtje pa leje po të njëjtën ditë.

Se i është konfiskuar një karikator dhe një armë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vet avokati Halilaj, ai tha se vetura është e bashkëshortes së tij dhe armën e ka mbajtur ajo në veturë për siguri.

“Po është e vërtetë. Atë ditë e kam pasur veturën e bashkëshortes. Bashkëshortja për shkak të sigurisë dhe atentatit dhe kanosjeve se ‘ do të të kallim me fëmijë’ i ka dërgu me këtë veturë fëmijët në shkollë dhe prej frikës së po ia kidnapon fëmijët dikush dhe po ia vret e ka mbajtur në fiokë të veturës. Jo në prokurori po në parking as nuk mu ka dashtë në brez as askund, e ka mbajt bashkëshortja për shkak të sigurisë atë armë. Atë se ka mbajtë asnjëherë por e ka mbajt në veturë”, tha ai.

Ai tha se nuk e kishte ditur se në çantën e punës e kishte karikatorin e armës.

“Karikatori është gjetur kur e kam shti çantën në skaner, unë as nuk e kam ditë, e kam shti në skaner dhe më pas është detektu karikatori më kanë pyet se ku e kam veturën edhe i kam  tregu që vetura është e bashkëshortes dhe kur është gjet arma u kam treguar që është për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve”, tregoi ai.

Sipas avokatit Halilaj, çantën e punës e ka përdorur edhe bashkëshortja pasi që të dy punojnë së bashku.

“Ajo është çantë që mban dokumente sepse bashkëshortja punon me mua ajo dhe i ka mbet aty. Unë s’jam çmend me mbajt karikator ne çantë kur e di se atje ka skaner mirëpo ka qenë e saj për shkak të frikës dhe atentatit që më është bërë më 14 prill”, shtoi tutje ai.

Tutje avokati Halilaj tha edhe se në Prokurori kishte shkuar për tu intervistuar në cilësinë e ankuesit në lidhje me një rast të kanosjes.

“Unë skam pas me shku te Kryeprokurori. Unë atë ditë kam pasur me shku me dhanë një deklaratë në cilësinë e ankuesit për një kanosje që më është bërë dhe në çantën që e mban bashkëshortja e ka harru karikatorin. Unë i tregova aty (policisë) që jam edhe me veturë u tregova ku është dhe ju thash nuk e di a ka a s’ka kur e kanë gjetë e kanë marrë u kam tregu që është e bashkëshortes e jo e imja. Edhe pse jam i rrezikuar ekstrem, shteti nuk më ka ofruar asnjë mbrojtje por pavarësisht kësaj unë nuk mbaj asgjë”, tha tutje Halilaj.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi se ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro për kërcënim ndaj avokatit Gazmend Halilaj në Drenas.

“Ku je se pa ardhë met kallë nuk kam me lënë”, citohet ta kishte kërcënuar përmes viberit Lushtaku avokatin Halilaj.

Dënimi është shqiptuar nga gjykatësja e rastit, Alltëne Murseli ndërsa Sami Lushtaku nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Lushtaku u gjobit nga gjykata në Prishtinë një ditë pasi e pranoi fajësinë për këtë vepër dhe procedura ndaj tij u veçua nga dy të akuzuarit tjerë Ibrahim Lushtaku e Xhelal Zeqiri.

VIDEO – Sami Lushtaku dënohet nga gjykata për kërcënim ndaj avokatit

KALLXO.com kishte raportuar edhe për sulmin që i kishte ndodhur Halilajt në prill të këtij viti si dhe për rastin e të miturës në Drenas.

Avokati Halilaj lidh sulmin ndaj tij me një denoncim për fondet e luftës

Rasti i të miturës nga Drenasi, deklarohen të pafajshëm të akuzuarit