VIDEO - Sami Lushtaku dënohet nga gjykata për kërcënim ndaj avokatit

Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro për një kërcënim ndaj avokatit Gazmend Halilaj në Drenas.

Dënimi është shqiptuar nga gjykatësja e rastit, Alltëne Murseli ndërsa Sami Lushtaku nuk ka qenë i pranishëm në seancë.

Lushtaku u gjobit nga gjykata në Prishtinë një ditë pasi e pranoi fajësinë për këtë vepër dhe procedura ndaj tij u veçua nga dy të akuzuarit tjerë Ibrahim Lushtaku e Xhelal Zeqiri.

 

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në Facebook kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

I akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “ Nisan Qashai”  e ka goditur veturën  e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Sami Lushtakut. Foto: Kallxo.com

Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzurit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku po akuzohet se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove  në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur  pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit të vazhdojë paraburgimin.

Gjithashtu Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që vetura e markës “Mistubishi” dhe pistoletat e tipit “ Ekol” dhe “Crvena Zasatava” të konfiskohen.