Avokati Halilaj lidh sulmin ndaj tij me një denoncim për fondet e luftës

Avokati Gazmend Halilaj, i cili njoftoi se sot është gjuajtur me armë në afërsi të shtëpisë së tij, në një bisedë për KALLXO.com e ka lidhur sulmin ndaj tij me disa deklarime që i ka bërë për fondet e luftës.

Halilaj, i cili është duke u trajtuar në spital pas lëndimeve të marra, përmend se ngjarja i ndodhi pak ditë pasi ai kishte folur rreth një çështjeje që lidhet me ish- kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

“1.4 milion marka që i zbulova Sami Lushtakut, prej atëherë më kanë përcjell deri sot, e sot më gjujtën. Ishin kanë duke më pritur te shtëpia”, rrëfen Halilaj.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun por ky i fundit ka qenë i paqasshëm në telefon. Në një deklaratë të mëhershme Lushtaku kishte mohuar ta ketë kërcënuar Halilajn.

Ky i fundit kishte bërë një deklarim publik ku e akuzonte Lushtakun për disa fonde gjatë luftës.

KALLXO.com gjithashtu është duke pritur përgjigje edhe nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin.

Avokati Halilaj ka rrëfyer se si ishte sulmuar sot.

“Më kanë gjuajtur, kam mbetur i shtrirë, kam disa plagë por nuk e di. I kam disa plagë që jam lënduar por jo prej plumbave. Kur kam mbetur shtrirë ata janë larguar sepse kanë menduar se më kanë kapë plumbat, se më kanë gjuajtur nga dy metra afërsi dhe janë larguar, më kanë gjuajtur apet. Dy persona kanë qenë më një xhip të kaltër”, tha ai për KALLXO.com.

Ai shtoi se nuk i ka njohur personat që e kanë sulmuar atë.

“Jo, nuk i kam parë tabelat sepse njëherë më kanë goditur me veturë. Krejt ka ndodhur të shtëpia ime. 50 metra thuajse larg, më kanë dalë në pritë. Më kanë gjuajtur me armë së paku dy herë, se janë dy gëzhoja”, tha Halilaj tutje për KALLXO.com.

Avokati Gazmend Halilaj është i akuzuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale.

Akuzat ndaj tij janë në lidhje me dyshimet për abuzimin seksual të një vajze nga Drenasi, e cila ishte e mitur në kohën kur pretendohet abuzimi ndaj saj.