Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit të Drenasit, Lladrovci thotë se ishte 'cak i asamblistëve hakmarrës'

Kuvendi Komunal i Drenasit në një seancë të jashtëzakonshme ka shkarkuar kryesuesin e tij, Milaim Hajdarin, i cili vjen nga partia që ka pushtetin në këtë komunë (PDK).

Pro shkarkimit të tij kanë votuar 16 asamblistë, përfshirë këtu përveç opozitës edhe dy të PDK-së.

Milaim Hajdari ishte emëruar nga kryetari Ramiz Lladrovci në dhjetor 2021.

Për shkarkimin e tij reagoi kryetari Lladrovci duke thënë se nuk befasohet.

Sipas LVV-së në Drenas, Hajdari nuk ka qenë asnjëherë në nivel të detyrës në rolin e tij si kryesues, dhe se sipas tyre, në Kuvend Komunal axhenda, dinamikat e të gjitha çështjet e punës së Kuvendit janë përcaktuar nga Lladrovci.

“Asnjëherë nga marrja e mandatit Komiteti për Politikë dhe Financa nuk është marrë parasysh si trupë, mbledhjet e këtij komiteti më shumë janë mbajtur për formalitet sesa që iu është vlerësuar mendimi anëtarëve rreth përcaktimit të pikave të seancave për kuvendin komunal” – thuhet mes tjerash në reagimin e LVV-së në Drenas më 06.06.2024.

Sipas LVV-së në Drenas, Milaim Hajdari ka lejuar vazhdimisht sjellje joetike dhe sulme në baza personale të kryetarit të Komunës ndaj asamblistëve.

“Në seancën e datës 27.04.2022 z.Hajdari bashkë me z.Lladrovcin kishin provuar ta kontrabandojnë një vendim të dëmshëm për disa banorë në Drenas me vetëm 15 vota, pas reagimeve tona si asambleistë PDK ishte detyruar ta sjell një asambleiste nga pushimi i lehonisë për të votuar; .Hajdari megjithëse obligohej ndryshe me ligj në shumë situata nuk ka hedhur fare në votim propozimet nga këshilltarët tanë për plotësim të rendit të ditës,duke ua mohuar kësisoj të drejtat asambleistëve” – thuhet mes tjerash në reagim.

Ndërlidhur më këtë reagoi kryetari i kësaj Komune Ramiz Lladrovci.

Sipas tij, beteja parazgjedhore e opozitës ka filluar herët, për çka thotë se janë gati.

“Shkarkimi i sotëm z. Milaim Hajdari nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Drenasit, në Mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, nuk më ka befasuar. Shkarkimi i tij me vota të DD, VV, tre ish anëtarëve të PDK-së, dy asamblistëve tjerë të pozitës dhe asamblistit të “gjelbër”, është reflektim i punës destruktive, të shtyrë edhe nga faktorë të komunave tjera dhe keqbërësve të vjetër” – thuhet në reagimin e Lladrovcit.

Sipas Lladrovci, personaliteti i Milaim Hajdarit ka qenë dhe është i nderuar për komunën dhe më gjerë.

Ai thotë se është dëm i madh që “një njeri si ai, tolerant, bashkëpunues e i respektueshëm, sot të bëhet cak i asamblistëve hakmarrës”.

“Puna penguese e disa asamblistëve, gjatë këtij mandati, ka dëmtuar interesin qytetar, këtë e kanë bërë edhe sot. Opozita duhet ta dijë një herë e përgjithmonë, ne nuk do të nënshtrohemi për të negociuar punët e kundërligjshme. Hedh poshtë fjalimet demagogjike të asamblistëve opozitarë në Mbledhjen e jashtëzakonshme, për shpifjet me pretendime për t’u faktorizuar para qytetarëve, njëherësh duke tentuar ta mashtrojnë opinionin” – ka shkruar Lladrovci në “Facebook”.

“Kontributin e folësve të sotëm e njohin qytetarët e komunës së Drenasit, me kundërshtimin e buxhetit, të investimeve, dhënien e pronës me qira dhe miratimin e Listës paraprake të pronave e deri të dëmet që bëhen ndaj investitorëve të rinj dhe krijimin e qindra vendeve të reja të punës. Beteja parazgjedhore ka filluar para kohe, por, jemi gati, me përkushtimin tonë të plotë që me Kabinetin tim, të realizoj dhe arsyetoj besimin e qytetarëve”- ka përfunduar Lladrovci.