PSD paralajmëron protestë të re kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ftuar në takim partitë opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sindikatave, që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Pas takimit, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se janë dakorduar për bashkëpunim opozitar për një protestë tjetër.

Ai ka thënë se njerëzit që dalin në protestë nuk janë vetëm PSD.

“Jemi dakorduar për bashkëpunim opozitar. Në kohën kur ne po flasim vendimi i ZRrE-së nuk është bërë publik. Çmimi i energjisë është rrit vetëm me tre rreshta. Ka pajtim që duhet të ketë protestë qytetare të përbashkët. Kemi dy ditë kohë që të dakordohemi për protestë. Njerëzit në protestë nuk janë njerëz të PSD-së, drejtuesit e partive duhet të jenë në valë të njëjtë me anëtarët e partisë”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për aksion opozitar duke potencuar se si PSD do vazhdojnë me aksione tjera.

Molliqaj shpreson që presioni qytetar do të shtyjë edhe partitë LDK e PDK të marrin pjesë në protestë. Këto dy parti nuk kanë marrë pjesë sot në takimin e thirrur nga partia e Molliqajt.

“Kosova ka nevoje për aksion opozitar. Nëse do të ishim bashkë atë ditë në shesh ky vendim nuk do merrej. Mua me intereson që ky vendim të zbrapset sepse është i dëmshëm. Ne si PSD do të vazhdojmë me aksione, nuk do te ndalemi.  Unë jam optimist që edhe LDK dhe PDK nga presioni qytetar do te marrin pjese ne proteste”, shtoi tutje Molliqaj.

Endrit Shala nga Nisma Social Demokrate ka thënë se qëllimi i këtij takimi është kundërshtimi i rritjes së çmimit të energjisë.

Ai shtoi se kanë diskutuar edhe për një protestë të përbashkët.

“Qëllimi i takimit ishte koordinimi lidhur me kundërshtimin për rritjen e energjisë elektrike. Diskutuam për çështjet tjera sociale. Nga sot do të vazhdojmë koordinimin si opozitë. U dakorduam që të ftojmë edhe partitë tjera. Kemi diskutuar edhe për një protestë të përbashkët”, ka thënë ai.

Kurse, Ahmet  Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dhënë se çmimet janë rritur, por nuk ka rritje të pagave duke shtuar se vendimi i ZRrE-së do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Rritja e çmimit prek interesin qytetar. Te gjitha çmimet janë rritur por nuk ka rritje te pagave. Kemi një gjendje që po e shqetëson qytetarin e Kosovës. Do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e ZRrE-se”, ka thënë Isufi.

Para tri ditësh, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

PSD-ja edhe më herët kishte kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës, duke organizuar protestë në Prishtinë.

Nis takimi i thirrur nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të rrymës